Aktualitet
Vrasja e Fatjon Bicit/ Babai i autorit: Mjerë ai që iku e familja e tij
Servet Karaj, babi i 15-vjeçarit që vrau bashkëmoshatarin Fatjon Bici në Gramsh, ndihet i tronditur nga kjo ngjarje e rëndë dhe i kërkon falje familjarëve të viktimës.
Në një prononcim për mediat, ai tha se edhe viktimën e konsideron si djalin e tij dhe është i gatshëm të takohet me familjarët e tij.
I kërkoi falje jashtë mase. Edhe unë e quaj djalin tim se njëlloj janë. Jam gati që të shkoj që sot te familja e tyre nëse pranojnë. Mjerë ai që iku se ky do rrijë e do dale, por ai s’del më atje ku iku. Mjerë familja e shkretë dhe ne që na zuri….
Ndërkohë duke folur për djalin e tij, Karaj tha se nuk ishte në dijeni të faktit që ai mbante thikë dhe ishte i përfshirë në sherre. Më tej ai tha se 10 minuta para se të ndodhte ngjarja e rëndë kishte qenë bashkë me djalin në Gramsh pasi ishte sëmurë.
Djali ka qenë shumë i qetë, nuk merrej me gjëra të tilla. Atë ditë nuk ka shkuar në shkollë se kishte probleme shëndetësore. Unë isha vetë në Gramsh e 10 minuta pasi jam kthyer më kanë marrë në telefon. Jam habitur. Sjellja e djalit ka qenë normale, nuk të linte përshtypje. Nuk di si të them, nuk kam parë asgjë vete. Në polici na thirrën për deklaratën. Nuk i kam parë asgjë as në cantë, as në xhep. Djali nuk ka pasur raste të tilla, nuk kam dëgjuar asnjëherë debat. Nuk kishim asnjë informacion se po të kisha sikur 2% të dija nuk do të kishte arritur deri këtu. Shkonte në shkollë zakonisht, ishte nxënës mesatar, i rregullt, të shtuna të diela punonte, nuk ishte problematik.