Kronike
Vrasja e ish-oficerit të krimeve, ja kush është 50 vjeçari i shpallur në kërkim
Policia e Elbasanit arriti të identifikojë personin e 5-të të përfshirë në vrasjen e Roland Rexhepit, ish-oficerit të krimeve, që u ekzekutua në Elbasan në vitin 2009.
Personi i identifikuar dhe i shpallur në kërkim është Gëzim Balla, 50-vjeç, i dënuar më parë për prodhim e shitje narkotikësh, si dhe si anëtar i një grupi kriminal.
Lidhur me vrasjen e Rexhepit, Policia ka arrestuar më parë Marjus Tafën dhe Armando Llakajn, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg, Florind Shabanin, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania, si dhe Donald Hoxhën, i cili u ekstradua dy muaj më parë nga Britania e Madhe.
Roland Rexhepi i njohur ndryshe si “Doda” në Elbasan u vra 15 vite më parë pranë banesës së tij dhe dy vite më pas iu ekzekutua edhe i vëllai.
Ngjarja
Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë.
Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.
Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit.
Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë.