Kronike
Vrasja e Klevis Lleshit/ Publikohet fotoja e Aurel Hoxhës, pagoi 50 mijë euro për zhdukjen e të riut

Personi në foto është Aurel Hoxha i cili porositi për 50 mijë euro vrasjen e Klevis Lleshit në 2020. Aurel Hoxha është pronari i lokalit të njohur te “Myslym Shyri” , Monopol.
Forcat RENEA ushtruan kontrolle në lokalin e tij, por Hoxha, i njohur ndryshe edhe si Aurelinjo Kalaveri, nuk u gjend në biznesin e tij, teksa rezulton ende në kërkim. Hetimet e SPAK kanë zbuluar se vrasja e 23-vjeçarit u realizua për hakmarrje, si pasojë e një konflikti të vjetër familjar dhe u ekzekutua për një shumë prej 50,000 eurosh.
Aurel Hoxha, i dyshuar si porositës i krimit, ka organizuar vrasjen për të hakmarrë vëllain e tij, i cili u vra në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2012. Sabah Nuzi dyshohet si ekzekutor i krimit, ndërsa grupi kriminal ka fshehur kufomën dhe ka përdorur armë pa leje.
SPAK ka lëshuar katër urdhër-arreste, përfshirë arrestimin e Sabah Nuzit, Samet Lokës dhe Sajmir Kolaverit, i cili është kapur në Itali. Ndërkohë, në kërkim është shpallur Aurel Hoxha (alias Aurelinjo Kalaveri), i cili dyshohet se është organizatori dhe drejtuesi i grupit kriminal.
Ky grup është përfshirë jo vetëm në vrasje me pagesë, por edhe në pastrim parash të përftuara nga aktiviteti i paligjshëm i trafikimit të narkotikëve dhe investime të dyshimta.
Hetimet janë realizuar në bashkëpunim me Europol dhe autoritete ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe autoritetet e Shqipërisë. SPAK ka bërë të ditur se grupi kriminal ka përdorur shuma të konsiderueshme parash për të realizuar investime në pasuri të paluajtshme dhe aktivitete tregtare, duke fshehur origjinën e parave të përftuara nga krimi.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se grupi ka përdorur platforma të enkriptuara për të koordinuar aktivitetet kriminale. Prokurorët e Posaçëm po punojnë për të identifikuar dhe ndaluar të tjerë anëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal.

