Kronike
Vrasja e Martinit/ Mister kush e shoqëroi autorin me makinë pas krimit
Pasi qëlloi disa herë me thikë bashkëmoshatarin Martin Cani, autori i dyshuar i vrasjes u largua nga vendi i krimit dhe u kujdes të fshihte armën me të cilën e kreu atë. Për disa ditë me radhë ai nuk tregoi ku e kishte fshehur thikën të cilën e ekspozoi me krenari në rrjetet sociale pas krimit, por policia mundi ta gjejë të premten bashkë me çantën e shkollës në çatinë e një godine 1-katëshe në rrugën “Fadil Rada”, pas ATSH-së ose pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Megjithëse 14-vjeçari nuk është marrë në pyetje nga policia, detajet po dalin në dritë një e nga një dhe një nga misteret që policia po punon për ta zbardhur, është njeriu që e shoqëroi 14-vjeçarin me makinë pas krimit. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë ndërsa është marrë dhe dëshmia e mësuesve, e oficeres së sigurisë dhe personave që mund të japin detaje me rëndësi për hetimin.
14-vjeçari u njoh të premten me masën e sigurisë arrest në burg në dhomën e spitalit ku po trajtohet për dorën e lënduar. Ai u njoh gjithashtu me akuzën “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi, mbajtje pa leje e armëve të ftohta”. Pas shërimit ai do të shkojë direkt në qeli.
Të paktën 12 vite heqje lirie është maksimumi i dënimit që mund të jepet nga një Gjykatë për një krim të tillë, nëse autori i krimit është i mitur nga 14 deri në 17 vjeç.
Aplikimi i dënimeve me burgim për këtë moshë bëhet vetëm nëse vepra penale e kryer parashikon një dënim me minimum 7 vite heqje lirie, përcaktim ky që në rastin e vrasjes së nxënësit të shkollës “Fan Noli” plotësohet, pasi vepra e kryer kategorizohet tek më të rëndat.
Vrasja e adoleshentit ndodhi 150 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”.
Të dy, si viktima dhe autori ishin nxënës të kësaj shkolle.