Connect with us

Aktualitet

Vrasja e Mimoza Paja/ Policia zbulon lëvizjet e një prej autorëve

Një muaj nga masakra e Don Boskos, Policia ka zbuluar se një nga personat e dyshuar për masakrën në lokalin e Fatjon Muratit, ka udhëtuar një javë përpara krimit, nga Gjermania në Prishtinë dhe ka hyrë në vendin tonë, në fundjavë duke mos u regjistruar të TIMS.

Ky person, dyshohet se i ka bërë këto lëvizje me qëllim për të fshehur gjurmët dhe përfshirjen në ngjarjen e rëndë. Policia thotë se ka siguruar të dhëna në rrugë konfidenciale, që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve të mundshëm të ngjarjeve.

Grupi i hetimit është fokusuar tek dy emra konkretë, njëri prej të cilëve i ka mbijetuar më herët një atentati, ndërsa tjetri është personazh jo shumë i njohur, por dyshohet të jetë përfshirë në këtë ngjarje për motive hakmarrje.

Deri më tani, grupi hetimor ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në qarkun e Tiranës, në Fushë Krujë e Durrës dhe po i këqyr për të rindërtuar trajektoren e lëvizjeve të autorëve para dhe pas ngjarjes.

Çfarë ndodhi dhe pse u vra Mimoza Paja?

Masakra ndodhi më 12 Mars në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij. Murati tashmë është shpallur në kërkim.

Advertisement