Rajon
Vrasja e shqiptarit/ Nëna e autorit “zbuloi” të birin: Papritur u bë më 15 mijë euro, nuk më ka qerasur asnjë vakt

Një 27-vjeçar grek me precedentë penalë është arrestuar nga autoritetet greke për vrasjen e shqiptarit Artur Bashimi, ngjarje e ndodhur më 18 gusht 2025 në Athinë. Sipas hetimeve, ai kishte marrë një porosi për vrasjen nga burgu dhe ishte paguar 15 mijë euro për të ekzekutuar 47-vjeçarin shqiptar.
Shuma e parave të marra pas vrasjes u vu re edhe nga nëna e autorit, e cila dyshoi për burimin e të ardhurave dhe i tha të birit:
“Papritur t’i u bëre me kaq shumë para dhe kjo gjë nuk më pëlqen. Që nga dita që ke marrë këto para, nuk më ke qerasur asnjë vakt.”
Nga dosja hetimore mësohet se ditën e krimit, 27-vjeçari kishte dalë nga banesa e tij në qendër të Athinës me një motor blu. Fillimisht u afrua te kafeneja ku viktima frekuentonte dhe e qëlloi sapo ai u largua, por arma iu bllokua pas një të shtënë. Më pas u largua drejt një klubi plazhi në Alimos, la motorin aty dhe u kthye në banesë me taksi.
Dëshmia e një gruaje rezultoi kyçe në zbardhjen e ngjarjes, pasi ajo deklaroi se i riu i kishte kërkuar që të parkonte motorin në verandën e pallatit të saj në fillim të qershorit. Pas datës 20 gusht, mjeti ishte zhdukur.
Viktima, Artur Bashimi, kishte të kaluar kriminale dhe kishte qenë i dënuar më parë për pjesëmarrje në organizatë kriminale, grabitje, vjedhje dhe pastrim parash. Një mik i tij ka dëshmuar se pak para se të vritej, Bashimi i kishte thënë se vëllai i tij, që ndodhej në burgun e Trikalas, ishte përfshirë në një incident dhe e kishte paralajmëruar të tregonte kujdes.
Autori tashmë ka rrëfyer ngjarjen para policisë dhe do të paraqitet për të kërkuar falje zyrtarisht të hënën, më 8 shtator.

