Kosova
Vr’asja e trefishtë në Kosovë/ Ministri i Brendshëm ngre alarmin, urdhëron hetim për njohje të policëve me autorin

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka urdhëruar Inspektoriatin Policor të Kosovës të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale ndaj Mefail Shkodrës, i cili u shpall në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Lajmin e ka bërë të ditur Svecla përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë”.
“Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështes çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që siguron institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.
Të dielën gjatë ditës tre persona janë vrarë nga armët e zjarrit. Policia e Kosovës kishte njoftuar fillimisht se vdekja e dy personave është konstatuar në vendin e ngjarjes, në rrugën “Ibrahim Rugova” në qendër të qytetit të Gjilanit, ndërsa personi i tretë ka ndërruar jetë më vonë.
Drejtori rajonal i Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, të dielën bëri të ditur se ndaj tre të dyshuarve është kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar, ndërsa pikat kufitare janë njoftuar për të parandaluar largimin e tyre jashtë vendit.
Në anën tjetër, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, ka shtuar se hetimet janë në vazhdim dhe janë ndërmarrë veprime fillestare, përfshirë urdhër-kontrolle në vende të ndryshme, por të dyshuarit nuk janë gjetur aty.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Gjilan ka bërë me dije se ndaj të dyshuarit kryesor, Mefail Shkodra, nuk ka asnjë lëndë aktive në këtë Gjykatë në lidhje me ngjarjen e fundit. Ky institucion potencoi se në të kaluarën Shkodra kishte pasur tre lëndë penale të përfunduara me aktgjykim dënues.

