Kosova
Vra*sja e vëllezërve Bytyqi dhe Banjska, gurët në qafën e Serbisë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë mikpritjes së tij ndaj presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçic, në Paris, ndër të tjera tha se përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjska duhet të dalin para drejtësisë.
Milan Radoiçic, ish-nënkryetari i Listës Serbe megjithatë ende sot është shtetas i lirë në Serbi, jeton në një shtëpi në Dedinje, në Beograd dhe fundjavën e kaluar autoritetet e Prishtinës i konfiskuan pronën në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara e vendosën atë në “listën e zezë” për terrorizëm, kurse regjimi serb e toleron duke e lejuar atë të shijojë një jetë luksoze në Beograd.
Pavarësisht se Aleksander Vuçic u mburr për vizitën e tij dhe marrëdhëniet e përzemërta me Emmanuel Macron dhe për dashurinë që presidenti francez shpreh ndaj tij, fakti është se mesazhet kryesore në konferencën e përbashkët për shtyp në Paris mund të përmblidhen në këtë mënyrë – zbatoni Marrëveshjen e Ohrit dhe sillni Milan Radoiçiçin para drejtësisë.
“Përsa i përket deklaratës për hetimin e sulmit në Banjskë, përsëri dëgjuam kërkesën për ndjekje penale të përgjegjësve dhe kjo nuk do të ndryshojë derisa të ngrihen aktakuzat dhe të përfundojnë gjykimet. Është ndoshta një temë që njëlloj si thirrjet e administratës amerikane për të ndriçuar vrasjen e vëllezërve Bytyqi, dhe do ta përndjekë Serbinë për një kohë shumë të gjatë” – kështu tha për median serbe Danas, Milica Rakiç Andriç nga Iniciativa e Re Sociale nga Mitrovica e Kosovës.
“Marrëveshja e Ohrit, nga e cila janë zbatuar shumë pak gjëra, kërcënon të bëhet nMarrëveshje e re e Uashingtonit, teksa ka përpjekje nga liderët e BE-së synojnë që kjo të mos ndodhë. Mirëpo, përveç vullnetit për të parandaluar një skenar të tillë, gjithçka tjetër mungon. Nuk ka unitet brenda BE-së, dhe me lajmin e largimit të Miroslav Lajçakut, nuk ka më asnjë parashikueshmëri për udhëheqjen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi – theksoi Andriç, sipas se cilës, mesazhet e Macron-it për marreveshjet, janë pasqyrim i strategjisë së vetme në dialogun që ekziston – kushtëzimi retorik pa lëvizje konkrete.
Andriç gjithashtu theksoi se përsa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kjo është një temë ku nuk ka unitet të plotë midis vendeve të QUNIT-it dhe dihet prej kohësh se Franca ka pritshmëri më të mëdha nga Kosova dhe se zbatimi i Vendimi për Manastirin e Deçanin nuk mjafton për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas Sofija Popoviç, gazetare e portalit ‘Ballkani Perëndimor Evropian’, Parisi nuk do të ndryshojë qëndrim kur është fjala për pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Po ashtu, pati mesazhe se Franca pret zgjidhjen e rastit Banjska, e cila definitivisht ka përkeqësuar perceptimin e Serbisë në qarqet evropiane. Edhe pse mediat pranë autoriteteve e prezantuan këtë vizitë në dritën e ekonomisë dhe bashkëpunimit, është gjithashtu interesant fakti që presidenti Macron iu referua çështjeve që kanë të bëjnë me rrugën evropiane të Serbisë, duke përfshirë gjendjen e mediave serbe dhe gjyqësorit. Megjithatë, përshtypja është se temat politike janë diçka që është diskutuar me dyer të mbyllura.