Connect with us

Kronike

Vrasja në Velipojë/ Lihen në burg dy punonjësit e hotelit, kamarieri: Nuk e di si u plagosa

Gjykata e Shkodrës ka dhënë këtë të enjte masën e sigurisë “arrest me burg” për dy punonjësit e hotelit  “Holiday”, kamarierin e plagosur Zyber Zagradin dhe shtetasin Mario Pali, të dyshuar si bashkëpunëtorë të autorëve të vrasjes së dyfishtë në Velipojë.

Deri më tani ende nuk është sqaruar tamam roli që ata kanë patur në ngjarje. Para togave të zeza ata kanë deklaruar se kishin shkuar te sherri, pasi kishte nisur konflikti mes vëllezërve Edmir dhe Gëzim Frroku dhe dy viktimave Ersild Ishmi 33 vjeç dhe Arsid Hoxha 22 vjeç.

Në sallën e gjyqit ata kanë deklaruar se Zagradi dhe Pali kanë deklaruar se kanë parë shtetasin Edmir Frroku duke qëlluar mbi dy viktimat, ndërsa u shprehën se nuk e kanë patur idenë se si ka nisur konflikti mes tyre sepse mbërritën më vonë aty.

Avokati mbrojtës Simon Pashku kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe vleftësimin e paligjshëm të ndalimit të tyre ndërsa prokurori Albert Murçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” të cilën gjyqtarja Arta Llazari e pranoi.

Kamarieri Zyber Zagradi deklaroi gjithashtu se nuk e ka idenë se si ka mbetur i plagosur.

“Nuk e di si u plagosa, vetëm kur pashë këmbën me gjak dhe plagën e shkaktuar nga plumbi që kisha marrë.”, mësohet të jetë shprehur ai.

Dyshohet se Zagradi dhe Pali ndihmuan vëllezërit Edmir dhe Gëzim Frroku të largohen nga vendngjarja, pasi ekzekutuan me armë zjarri të rinjtë Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha të hënën në mbrëmje.

Policia ka shpallur në kërkim si autorë të krimit dy vëllezërit Edmir dhe Gëzim Frroku, pronarë të hotel “Holiday” në plazhin e Velipojës, teksa viktima Arsid Hoxha është burri i motrës së viktimës tjetër Ersild Ishmit.

Ngjarja e rëndë ka zanafillën tek një konflikt  i ndodhur mesditën e 28 qershorit të këtij viti në hotelin e dy vëllezërve, Edmir dhe Gëzim Frroku.

Ersid Ishmi kishte shkuar për të drekuar në hotel dhe kamerieri në restorant, kushëri me Ishmin ka debatuar me kuzhinierin pasi është vonuar porosia.

Në këtë debat ka ndërhyrë 33-vjecari Ishmi, i cili ka nxjerrë pistoletën në restorantin e familjes Frroku dhe ka kërcënuar me jetë kuzhinierin. Ishmi u arrestua në Vaun e Dejës më 14 korrik dhe gjykata e Shkodrës la në masë sigurie “arrest shtëpie”.

Mbrëmjen e 19 gushtit, Ishmi theu masën e sigurisë, mori me vete kunatin Arsid Hoxhën dhe shkuan tek hoteli për të sqaruar konfliktin që kishin lënë përgjysmë. Rreth orës 21:00 ka pasur konflikt mes dy vëllezërve Frroku dhe dy kunetërve përpara hotelit.

Dyshohet se Edmir Frroku kanë qëlluar me armë duke lënë të plagosur rëndë dy kunetërit Hoxha dhe Ishmi të cilët gjetën vdekjen sapo hynë në sallën e operacionit në spitalin e Shkodrës.

Advertisement