Kronike
Vrasje dhe aksident, tre viktima përgjakin Shqipërinë
SHQIPËRI – Vijojnë ngjarjet kriminale në vendin tonë. Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Lezhë, duke rënduar bilancin e zi të viktimave të kësaj vere. Besnik Pjetri vrau Pjerin dhe Gent Përjakun, babë e bir. Pjetri, ish-dhëndri i familjes shkoi në banesën e Pjerin Përjakut dhe qëlloi me armë atë dhe djalin e tij, duke i lënë të vdekur. Ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi pas konflikteve familjare, ndërsa autori ishte divorcuar me bashkëshorten para 6 vitesh. Ndërkohë, dy viktimat ishin kthyer ditën e djeshme nga Italia. Autori është ende në arrati, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e tij. Pa kaluar shumë orë një tjetër viktimë u shënua në një aksident tragjik. Aksidenti ndodhi orët e para të mëngjesit të së martës në aksin rrugor Fier-Vlorë, ku një fëmijë 6 vjeç humbi jetën. Burime bëjnë me dije se drejtuesi i mjetit, Andi Mithi, 33 vjeç, i cili udhëtonte së bashku me familjen pasi ishin kthyer nga Turqia, humbi kontrollin e makinës. Si pasojë, mjeti është përplasur me trafikndarësen dhe është kthyer përmbys. Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur drejtuesi i mjetit, bashkëshortja e tij, Albana Mithi dhe fëmija tjetër 3 vjeç. Ata janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Sjellim ndërmend se 25 persona kanë humbur jetën në 22 vrasje të ndodhura gjatë kësaj vere. Fatkeqësisht numri më i madh i vrasjeve ka qenë për motive banale. 10 persona kanë humbur jetën për konflikte të çastit të tipit “pse i fole vajzës që unë pëlqej” siç ishte rasti i Martin Çeços në fshatin Kolanec të Maliqit, më 12 qershor apo rasti i Klodian Bakiut më 17 gusht në Sarandë që u vra me thikë për një vend parkimi. Ndërsa 33-vjeçari Madrid Ulqinaku u vra në Elbasan vetëm se u kap me fjalë me një 18-vjeçar. Por më të rënda kanë qenë vrasjet mafioze që kanë tronditur vendin.