Connect with us

Kronike

Vrasjet e bujshme/ Tafani: Laerti kërkon vetëm të vrasë, do më hiqte dhe mua

Artan alias Marjus Tafani, bashkëpunëtori i prokurorisë e përkufizon Laert Haxhiun si një person të pamëshirshëm dhe të gatshëm për të vrarë këdo që mendon se e ka kundërshtar, i sjell probleme apo qoftë dhe nëse Haxhiut, i ka lindur dyshime mbi besueshmërinë e personit.

Një gjë e tillë ka ndodhur me kushëririn e tij, Fridman Xhaferaj të vrarë dhe hedhur në rezervuar, vetëm se pse Fridmani kishte thyer besimin e të afërmit të tij, Laert Haxhiu.

Një fakt të tillë e kishte nuhatur dhe Artan Tafani, i cili i ka treguar prokurorit Kreshnik Ajazi, se kishte kuptuar që besimi i Laert Haxhiu ishte lëkundur karshi tij, dhe ai ka dyshuar se vetë grupi ku bënte pjesë dhe kryente krime, po e ndiqte për ta vrarë.

Burgu psikik i krijuar në mendjen e Marjus Tafanit dhe frika e eliminimit të tij me të njëjtat forma siç Laert Haxhiu, kishte vrarë shokët e tjerë, ka qenë një nga arsyet e forta, që menjëherë pas arrestimit nga policia, Tafani të pranojë të flasë për krimet e kryera.

Sipas bashkëpunëtorit të prokurorisë Laert Haxhiu, kishte futur në listë për të vrarë të gjithë personat që ishin pjesë e bandës së Aldo Bares dhe këdo që shoqërohej me familjarë të personave që ai kishte vrarë më parë dhe interesohej në polici për gjendjen e hetimeve.

Në këtë listë ishte Kujtim Vata, shok i ngushtë i Besnik Hidës, i mbetur i vrarë nga Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Ardian Ahmeti në 1 Tetor 2019 në verandën e një lokali në Lushnjë.

Për vrasjen e Hidës, prokuroria e Fierit ka arrestuar në burgun e Drenovës, Orgest Bilbilin dhe ka shpallur në kërkim dy miqtë e tij, Laert Haxhiun dhe Ardian Ahmetin.

Para se të vritej Besnik Hida, daja i Zamir Latifit, i vrarë edhe ky në 2017 nga Laert Haxhiu, i kishte shkuar mesazhi përmes disa njerëzve të njohur në Lushnjë se:

“…është shprehur Laerti, për mua se nuk do e ha Vitin e Ri.., më kanë dërguar haber, Laerti bashkë me Orgestin dhe Kaloshin…janë betuar se do më vrasin…”.

Dhe në fakt pa mbërritur data e Vitit të Ri, Besnik Hida është vrarë vetëm për shkak se ishte daja i Zamir Latifit dhe interesohej në polici dhe prokurori për fatin e hetimeve dhe kapjen e Laert Haxhiut.

Për të njëjtin shkak, në 20 prill 2022 në qytetin e Lushnjës Laert Haxhiu, së bashku me Artan Tafanin, Lulzim Arapin dhe Dorian Shurdhin, organizohen dhe qëllojnë me armë për të vrarë, Kujtim Meta.

Meta ishte shok i ngushtë i Besnik Hidës dhe punonte si shofer kamioni në Lushnjë, pa pasur asnjë precedent penal apo lidhje me krimin. Por vetëm fakti se ai shoqërohej dhe frekuentonte anëtarët e familjes Hida, mjaftoi për tu vënë në rreth të kuq nga Laert Haxhiu.

Kujtim Meta, teksa qëndronte në një lokal duke pirë kafe në zonën “Stacioni i Trenit” është qëlluar plot 8 herë nga Dorian Shurdhi, por pa mundur ta vrasi. Meta, është plagosur rëndë, dhe fatmirësisht shpëtoi. Pas ngjarjes policia dhe prokuroria e Lushnjës identifikuan Shurdhin, duke e shpallur në kërkim.

Sipas dëshmitarit të prokurorisë, Laert Haxhiu në muajin Maj 2023 vuri në shënjestër për të vrarë dhe Genci Hida. Ky person është vëllai i Besnik Hidës të vrarë me 16 plumba kallashnikovi në 2019. Artan Tafani ka treguar se për vrasjen e Genci Hida, është impenjuar Laert Haxhiu, ai vetë dhe Kristi Bixheku.

Sipas bashkëpunëtorit të prokurorisë gjithçka ishte bërë gati dhe vrasjen do e kryente Tafani së bashku me Kristi Bixhekun. Por arrestimi i Laert Haxhiut në muajin Maj 2023 në Janinë të Greqisë, solli shtyrjen e planit, duke mos realizuar sulmin me armë./oranews

Advertisement