Connect with us

Kronike

Vrau 65-vjeçarin/ Autori fshihej në pyll, si u arrestua

Mesditën e 7 Shtatorit Fatos Manellari goditi për vdekje bashkëfshatarin e tij 65- vjeçar Safet Hyskollari dhe pas atij momenti ai u largua në drejtim të paditur duke humbur gjurmët.

Mësohet se ai është arrestuar nga policia pas rreth dy muajsh duke i dhënë fund arratisë. Shkak që Fatos Manellari plagosi për vdekje 65 vjeçarin, u bë konflikti për shtrimin e tubacionit të ujit në një pronë ku pretendime kishin të dy palët.

Burimet thanë se autori kurohej nga depresioni, teksa për banorët dhe fqinjët njihej si një njeri i cili shpesh herë kishte konflikte me të tjerët dhe familja e tij ishte tejet izoluar. Ndonëse u aludua se Manellari mund të kishte humbur jetën gjatë arratisë në pyllin e gështenjave, bashkëfshatarët e mohonin jashtë kamerave këtë fakt pasi ky pyll shkelej plotësisht nga banorët e zonës të cilët mblidhnin gështenjat në këtë periudhë.

 

Sipas policisë autori i vrasjes së 7 shtatorit është kapur në banesën e tij. Burime nga policia thonë se kishte informacione se autori shkonte në banesën e tij herë pas here dhe më pas fshihej në pyll. Nga ky informacion policia ka vëzhguar shtëpinë e autorit dhe më pas e ka arrestuar brenda banesës.

Kohëve të fundit vihej re dhe një shkëputje e bashkëshortes dhe djalit të autorit nga pjesa tjetër e fshatit, pas kryerjes së krimit nga kryefamiljari. Kërkimet e policisë ishin shpërndarë në disa zona të qytetit të Pogradecit, përfshirë dhe zonën e Mokrës, ku autori kishte të afërm të tij.

Viktima pak muaj kishte që ishte rikthyer nga SHBA në Shqipëri, teksa nga të banorët ai njihej si një person i qetë dhe shumë i shoqërueshëm. Konflikti i fundit me Fatos Manellari, i mori jetën 65-vjeçarit në pragun e shtëpisë të tij.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lokalizimi”.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 07.09.2022, në fshatin Gështenjas, ku mbeti i vrarë me mjet prerës (thikë), një 65-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 07.09.2022, në fshatin Gështenjas, Pogradec, ku mbeti i vrarë me mjet prerës (thikë) shtetasi S. H., mbështetur me inteligjencë operative, si dhe falë veprimeve të mirorganizuara në kuadër të operacionit “Lokalizimi”, kapën dhe ndaluan autorin e dyshuar, të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje, shtetasin:

– F. M., 63 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin S. H., 65 vjeç dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Advertisement