Aktualitet
Vrau Arben Lleshin në burgun e Peqinit, Sokol Mjacaj kërkon lirimin nga regjimi ’41-bis’
Sokol Mjacaj i cili ekzekutoi brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme futjen e tij në regjimin “41 biss”. GJKKO ka hedhur shortin ku gjyqtar i çështjes është caktuar Erion Bani.
Mjacaj vetëm pak minuta pasi mësoi lajmin se ministri i Drejtësisë kishte vendosur futjen e tij në “41 biss”, kreu vrasjen, dyshohet përkundrejt pagesës. Pas ngjarjes gjykata e Elbasanit i komunikoi tjetër masë arresti në burg Mjacajt, të dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çek në 2015 në Prekal të Malësisë së Madhe.
Sokol Mjacaj qëlloi me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi. Ky i fundit nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën. I dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën.