Connect with us

Aktualitet

Vrau babain dhe e hodhi në pus, Apeli lë në burg Esmerald Ballën

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lënë sot në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Esmerald Ballën, të riun që u arrestua për vrasjen e babait të tij më 13 Gusht të këtij viti, Enver Balla.

Masa ishte vendosur nga Shkalla e Parë Durrës, kurse 30-vjeçari u zbulua dhe arrestua më 4 Shtator, pas hetimeve të thelluara për humbjen e 62-vjeçarit. E njëjta masë edhe për shokun e tij, Edison Brahaj, që akuzohet për moskallëzim krimi. Kërkesa për ndryshim mase ishte bërë nga ky i fundit nëpërmjet avokatit.

Balla e kreu krimin me armën e zjarrit pistoletë, pas një sherri në familje për zhdukjen e 70 mijë eurove nga kasaforta e viktimës.

Gjatë konfliktit fizik, i dyshuari tha se shkrepi armën në vetëmbrojtje, pasi 62-vjeçari po përpiqej ta vriste teks shkonin me makinë te stani i tyre dhe dëshmitar ishte edhe Brahaj.

Më tej trupin e fshehën në pus dhe inskenoi zhdukjen e të atit me një femër misterioze. Hapi një adresë false në internet dhe i dërgoi mesazh të vëllait që të mos e kërkonin babanë se kishte ikur me një grua.

Por pas denoncimit për zhdukje, hetimet dhe përgjimet zbuluan të vërtetën, teksa krimi u pranua nga dy të rinjtë me rolet respektive dhe çështja është në proces nga Prokuroria.

Ngjarja ndodhi më 13 Gusht, por denoncimi u bë më 15 Gusht nga 30-vjeçari. Trupi i Enver Ballës u gjet pas rrëfimeve të të ndaluarve, në pusin ku ishte hedhur dhe pjesërisht i dekompozuar, me dy plagë plumbi në trup, një në kokë dhe një në gjoks.

Advertisement