Kronike
Vrau fqinjin me çekiç dhe i mori 2 mln lekë, publikohet FOTO e autorit
Personi që shihni në foton e mësipërme është 64-vjeçari Isuf Hasa, i cili u arrestua ditën e sotme, pasi akuzohet si autor i vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta, i cili u gjet pa shenja jete në oborrin e banesë së tij dy ditë më parë.
Fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale, por më pas, ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi se në kokën e viktimës kishte shenja të dukshme dhune, të shkaktuara nga sende të forta.
Nga hetimet ka rezultuar se Isuf Hasa i kishte shkuar në banes Xhemal Metës ku ishin konfliktuar për motive të dobëta.
Gjatë përplasjes mes tyre, Isuf Hasa e ka qëlluar me çekiç mbrapa koke Xhemal Metën, duke e lënë të vdekur në vend. Pas krimit, Hasa i ka marrë 81-vjeçari lekët në xhep dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia ka gjetur në banesën e vajzës së autorit një çekiç, i cili dyshohet se është përdorur në krim. Gjithashtu, gjatë kontrollit është gjetur dhe një shumë prej 2 milionë lekësh të vjetra, e cila dyshohet se i është grabitur të moshuarit.
Mbi 64-vjeçarin Isuf Hasa është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim ”.
Prej vitesh viktima Xhemal Meta jetonte i vetëm në Shëngjin të Vogël, pjesë e njësisë administrative Zall-Bastar, ndërsa familjarët e tij jetojnë në Tiranë, përfshirë edhe bashkëshorten.
Xhemal Meta kishte disa bagëti të imta dhe pula, me të cilat merrej në përditshmëri, teksa sipas deklarimeve të familjarëve, ai mbante gjithmonë lekë me vete.