Connect with us

Kronike

Vrau katër policë, rikthehet burgimi i përjetshëm për Dritan Dajtin

Gjykata e Lartë ka vendosur të dënojë me burgim të përjetshëm Dritan Dajtin për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në vitin 2009 në Durrës. Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Artur Kalaja vendosën të pranojnë rekursin e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda që kundërshtoi vendimin e Apelit të Krimeve të Rënda që e dënonte Dajtin me 25 vite burg pasi pranoi kërkesën e tij për gjyki të shkurtuar

Dritan Dajti do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë dhe është fajtor për vrasjen e efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e shënuar më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Arratisja e Dajtit nga gjykata dhe vrasja e 4 efektivëve

Dritan Dajti  u dënua fillimisht me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës për veprën penale të vrasjes së biznesmenit Agim Beqa, në vitin 1999. Viktima kishte nisur ndërtimin e një pallati por ai ishte konfliktuar me disa persona. Ditën kur do niste gjyqi ndaj tjj, Dritan Dajti u arratis në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003. Ai mori një pistoletë në tualetin e gjykatës, e vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë, iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër dhe u largua.

Dajti qëndroi 6 vite në arrati deri më 7 gusht të vitit 2009 kur u ndërmor një operacion për arrestimin e tij. Punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë, kur ndërhynë në zonën e plazhit për ta arrestuar

Dajti u dënua me 4 vendime të përjetshme pas rreth 280 seancash gjyqësore që zgjatën gati një dekadë. Por, Gjykata e Apelit vendosi të rrëzonte këto dënime dhe ta dënonte Dajtin me 25 vite burg, duke i hapur praktikisht derën e burgut. Kjo vendimmarrje prodhoi reagime të forta deri në nivel ndërkombëtar ndërsa sot Gjykata e Lartë përfundimisht la dënimin burg përjetë për Dritan Dajtin.

Advertisement