Connect with us

Kronike

Vrau shqiptarin me pushkë, dëshmia e autorit: Nuk doja të përfundonte kështu

Mediat greke kanë zbardhur dëshminë e dhënë në Polici të 68-vjeçari Dhimitris Kutrumanis, i cili mesditën e sotme ekzekutoi 39-vjeçarin shqiptar Brigen Limka, baba i tre fëmijë me origjinë nga Korça, i cili punonte si roje parkingu.

Para grupit hetimor ai ka deklaruar se nuk do të donte të përfundonte kështu, teksa thotë se kishin përplasje të vazhdueshme me shqiptarin, pasi makinat vendoseshin në trotuar dhe bllokonin rrugën.

“Kishim vite fërkime. Makinat i vendosin nga parkingu edhe në trotuar. Ata po bllokonin rrugët. E kisha shprehur indinjatën time shumë herë. Nuk doja që të përfundonte kështu”. – raportohet të ketë deklaruar ai.

Ngjarja ndodhi mesditën e kësaj të premte në rrugën “Praxitelous 147”. Ata fillimisht kishin një përplasje verbale mes tyre, më pas autori shkoi në banesën e tij dhe u kthye me pushkë në dorë ku ekzekutoi shqiptarin me dy plumba në fytyrë.

39-vjeçari nuk e ka parë teksa fshihej pas një makine të parkuar. Ai ka dalë para viktimës në dy metra, e ka befasuar dhe e ka qëlluar në fytyrë.

39-vjeçari fatkeq është rrëzuar përtokë në mes të rrugës. Në të njëjtën kohë, një makinë që do të parkonte bën mbrapa dhe largohet me drejtuesin e saj duke parë skenën, dhe e ka zënë paniku. Megjithatë 68-vjeçari nuk “i ka dalë inati” vetëm me aq, pasi qëllon përsëri në drejtim të viktimës e më pas niset menjëherë për në shtëpinë e tij.

“Mbarova me ty, tani mbarova me ty”, thuhet se ka bërtitur sulmuesi sapo ka qëlluar 39-vjeçarin, duke treguar se sa i vendosur ishte për të vrarë.

Autori u arrestua pak momente më vonë nga krimi, teksa arma me të cilën vrau babanë e tre fëmijëve është e paligjshme. Viktima është dërguar fillimisht në spitalin e Zaneios, por fatkeqësisht nuk i ka shpëtuar dot plagëve të marra.

Kamerat e sigurisë në rrugë kanë filmuar momentin e rëndë, ku duket autori që e qëllon viktimën me armë gjahu dhe më pas largohet.

Dëshmitarët okularë thanë se Dhimitris Kutrumanis ishte një njeri i çuditshëm dhe kishte konflikt me fqinjët.

Advertisement