Connect with us

Aktualitet

“Vriten për shkak të mentalitetit”, sociologu flet për tradhtinë

Tradhtia në ditët e sotme është kthyer në çështjet më të diskutuara. Në vendin tonë ka një gjykim ndryshe kur tradhton një grua dhe ndryshe kur tradhton një burrë. Por çfarë i shtyn njerëzit të tradhtojnë?

Kësaj pyetje i është përgjigjur Gëzim Tushi në emisionin “Aldo Morning Show”.

Tushi thotë se në shoqërinë tonë ka një klasifikim të deformuar të tradhtisë.

Gëzim Tushi: Janë dy gjëra kryesore që e bëjnë këtë klasifikim të deformuar të tradhtisë në shoqërinë shqiptare. E para është ideja që shoqëria shqiptare ka pasur një moral të dyfishtë. Tjetër moral për mashkullin, tjetër moral për femrat. Ideja është që, domethënë, tradhtia e mashkullit mund të korrigjohet, pra mashkulli mund të rehabilitohet pasi shkel këtë moral le të themi, kurse shkelja…

Aldo i kujton një shprehje turke që e thonë shqiptarët. “Burri me një gotë ujë lahet”.

Gëzim Tushi: Kjo është rrënja maskiliste e trajtimit të kësaj gjëje, çështjes së tradhtisë. Në fakt, unë mendoj se ka disa gjëra që në shoqërinë shqiptare janë të deformuara, lidhur me konceptimin e tradhtisë. Për shembull, akoma një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare e konsideron tradhtinë krim. Pikërisht, për shkak të këtij mentaliteti, vritet. Pra, ne kemi me dhjetëra raste në Shqipëri, që burri e vret gruan ose mashkulli e vret.

Sipas Gëzimit, njerëzit, në veçanti meshkujt, kalojnë në ekstreme nëse partnerja i tradhton.

Gëzim Tushi: Për shkak të xhelozisë, të tradhtisë të realizuar apo të imagjinuar. Dhe një gjë është në fund të fundit, morali është personal. Trupi është pronë private dhe në fund të fundit edhe nëse bënë tradhti… megjithëse unë them të vërtetën, unë kam një koncept ndryshe për këtë terminologjinë e përdorimit të termit tradhti. Edhe në botë po diskutohet. Është term i rëndë, është term politik. Dhe pikërisht , ngaqë e konsiderojmë si shkelje të besnikërisë bashkëshortore, si mungesë besnikërie, ka terma më të butë. Po të zbusim termat, do zbusim edhe veprimet ose qëndrimet ndaj tyre.

Sociologu, gjithashtu tregon se kur mashkulli ka disa të dashura, e përdor si një formë mburrjeje, kurse femrat kanë sensin e kundërt. Domethënë, në një farë mënyre, po të vini re në studimet që janë bërë, tregojnë që burri për shembull, e ka për efekt edhe mburrjeje, kur tregon që ka të dashur. Siç e dini, meshkujt shqiptarë e kanë dhe në zakon që duan t’i zmadhojnë numrin e të dashurave. Kurse femrat kanë sensin e kundërt. Domethënë, përgjithësisht duan ta mohojnë edhe në qoftë se kanë pasur dhe ky është rezultat i kornizës morale. Hipokrizia morale që ka kultivuar shoqëria.

Advertisement