Connect with us

Bota

Vritet diplomati francez nga sulmet izraelite, reagon ashpër Franca

Izraeli vazhdon pa ndërprerë sulmet ajrore në Gaza. Të paktën 24 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi ajror në veri sipas Munir Al-Bursh, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë te kontrolluar nga Hamasi. Sipas raportimeve shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë ndërsa 90 persona u plagosen. Sakaq, një zyrtar francez humbi jetën pas një sulmi izraelit në Rripin e Gazës.

Në platformën X, Ministria e Jashtme franceze bëri me dije se zyrtari ishte strehuar në shtëpinë e një kolegu nga konsullata franceze në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pranë kufirit me Egjiptin, së bashku me dy kolegë të tjerë dhe anëtarë të familjes.

“Franca dënon këtë sulm në një ndërtesë banimi që vrau shumë civilë të tjerë. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve izraelite që të hedhin dritë mbi rrethanat e këtij bombardimi sa më shpejt të jetë e mundur” shkruhet në njoftim.

Nga ana tjetër, Grupi militant palestinez Hamasi ka njoftuar se nuk do të ketë një marrëveshje tjetër për lirimin e pengjeve që mban në Gaza, nëse nuk merr fund agresioni izraelit. “Ne konfirmojmë qëndrimin tonë se nuk do të ketë asnjë negociatë për shkëmbimin e të burgosurve nëse agresioni kundër popullit tonë nuk përfundon njëherë e përgjithmonë”, thuhet në deklaratë. Hamasi gjithashtu ua ka përcjellë këtë qëndrim ndërmjetësuesve.

 

 

Izraeli vazhdon të çojë përpara ofensivën në Rripin e Gazës, ndonëse vrasja gabimisht e e tri pengjeve izraelite te cilët kanë mbajtur flamuj të bardhë, ka rritur pikëpyetjet dhe ka krijuar nje vale zemërimi ne publik kundër qeverisë së Netanjahut.

Gaza vazhdon të jetë pa qasje në linja të komunikimit për të katërtën ditë me radhë, fakt që, sipas grupeve për ndihmë, i ka komplikuar përpjekjet për shpëtim, dhe për të regjistruar viktimat civile. Izraeli mund të përballet me presion në rritje për ta ulur shkallën e operacioneve luftarake, kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin të vizitojë vendin këtë javë.

Advertisement