Connect with us

Kosova

Vuçeviç pretendon se Prishtina mund të “dorëzohet”: Ka aludime se do lejohet futja e mallrave serbe

Teksa Qeveria e Kosovës ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor të vitit të kaluar, Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka thënë se “ka aludime” që Qeveria e Kosovës mund të lejojë hyrjen e mallrave serbe.

“Ka disa aludime se Prishtina mund të dorëzohet, pra të pranojë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë. Gjermanët po e promovojnë shumë këtë përmes marrëveshjes së re CEFA-s. Ne do të shohim nëse kjo do të arrihet në prag të dhjetëvjetorit të Procesit të Berlinit”, tha ai gjatë një interviste

Ndërsa zyrtarë të lartë gjermanë, të angazhuar për Ballkanin, kanë paralajmëruar se Kosova mund të përjashtohet nga nismat rajonale tregtare, nëse vazhdon të ngulë këmbë në ndalesën që zbaton ndaj importit të mallrave nga Serbia.

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por përfaqësohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Për këtë arsye Gjermania në këmbim të heqjes së pengesave kundrejt mallrave serbe, Kosovës i ka ofruar përfaqësimin me asterisk në CEFTA, e jo më nëpërmjet UNMIK-ut.

CEFTA ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shtetet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Advertisement