Kosova
Vuçiç do ta ekstradojë Radoiçiçin në Kosovë nëse i rrezikohet pushteti, thotë analisti malazez
Malik Kovaçeviç, koordinator ekzekutiv i shoqatës rinore të Iniciativës Qytetare “21 Maji” në Mal të Zi, në një intervistë ka shprehur skepticizmin përsa i përket mundësisë së bashkëpunimit të Serbisë për ekstradimin e kryekriminelit serb, Millan Radoiçiç, bazuar në fletarrestin e lëshuara nga Agjencia Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL).
Ekstradimi i organizatorit të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, sipas analistit malazez, mund të realizohet vetëm nëse do të ketë presion të fortë nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare kundrejt presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, dhe regjimit në Beograd.
“Nëse do të ketë presion të fortë ndërkombëtar, të cilin regjimi në Beograd s’do të mund ta përballojë, dhe pyetja është nëse regjimi do të bjerë… Unë besoj se regjimi serb dhe Vuçiçi më parë do ta ekstradojë Radoiçiçin në Kosovë, të cilën nuk e njeh, se sa të rrezikojë të rrëzohet nga karrigia”.
Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë kërkuar nga Serbia që përgjegjësit për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku ka mbetur i vrarë togeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, të sillen para drejtësisë, ndërsa për Radoiçiçin dhe 11 persona tjerë, tashmë ekziston një fletarrest ndërkombëtar i lëshuar nga INTERPOL-i.
Megjithatë, analisti malazez është skeptik se sa do të jetë e gatshme Serbia të bashkëpunojë në mënyrë indirekte me institucionet e Kosovës për ta vënë Radoiçiçin para drejtësisë, sepse, sipas tij, sulmi i armatosur në veriun e Kosovës kishte për qëllim jo vetëm të destabilizonte këtë pjesë të territorit kosovar, por të shkaktonte konflikte të përmasave të mëdha.