Kosova
Vuçiç fut Kinën në Europë, ‘Kommersant’ për arsyet e vizitës së Xi Jinping në Serbi
“Qëllimi kryesor i vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Serbi më 7-8 maj u shënua zyrtarisht si “forcimi i mëtejshëm i miqësisë së çelikut” midis dy vendeve. Kina e sheh Serbinë si një partner të rëndësishëm në zbatimin e projektit të saj strategjik “Belt and Road”, i cili përfshin dërgimin e produkteve kineze në Evropë. Beogradi nuk mbështetet vetëm në kreditë dhe investimet kineze, por edhe në mbështetjen e Pekinit për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës” – kështu shkruan korrespondenti ballkanik i ‘Kommersant’, Genadi Sosoyev.
Fakti që vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi ka për qëllim të “forcojë miqësinë e çelikut” mes dy vendeve u njoftua në Pekin dhe Beograd. Pikërisht kjo formulë – “miqësia e fortë” – është përdorur në të dy vendet prej disa vitesh si karakteristikë e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë vizitës së parë të Xi Jinping në Beograd në vitin 2016, u nënshkrua një deklaratë për partneritetin strategjik, kurse vjeshtën e kaluar, kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç vizitoi Pekinin, u nënshkrua një marrëveshje për tregtinë e lirë mes dy vendeve, të cilën Beogradi e quajti një “ngjarje historike për Serbinë”.
Beogradi mbështetet në radhë të parë në investimet dhe kreditë kineze, duke i preferuar qartë ato ndaj atyre evropiane për shkak të shpejtësisë së zbatimit dhe procedurave më të thjeshta për marrjen e tyre.
Por Serbia nuk është më pak e interesuar për mbështetjen e Pekinit edhe për qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe voton vazhdimisht në përputhje me këtë qëndrim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Nga ana e saj, Serbia i përmbahet me vendosmëri parimit të një Kine. “Tajvani është Kina, dhe pikë”, tha Aleksandër Vuçiç në një intervistë në Pekin.
Sipas burimeve të Kommersant nga Beogradi, Vuçiç dhe Xi fillimisht do dakordohen për përfundimin e ndërtimit të hekurudhës së shpejtë Beograd-Budapest në gjatësi prej 350 km, e cila është duke u realizuar nga kompanitë kineze, me mundësi shtrirjeje deri në kryeqytetin maqedonas, Shkup dhe më tej në portin grek të Selanikut.
Sipas planeve të Pekinit, autostrada Selanik-Budapest duhet të bëhet një nga pikat kyçe në dërgimin e produkteve kineze në Evropë në të ardhmen.
Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi, sipas të njëjtave burime të Kommersant, duhet të jetë çështja e blerjes së mundshme nga ana e Serbisë të avionëve kinezë të gjeneratës së pestë J-20, të cilët do të zëvendësonin MiG-29 të dorës së dytë që Rusia i transferoi në Beograd.