Connect with us

Shkrime

Vuçiç, i përkëdheluri i Perëndimit

Daniel Serwer, profesor në Universitetin John Hopkins në Washington, ka thënë se Aneksi Zbatues i marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka dy probleme të mëdha. I pari, sipas tij, është se “ai fokusohet në proces, jo në substancë”, dhe se “Serbia refuzoi sërish ta nënshkruajë”.

Serwer shkruan se “risia kryesore procedurale është inkorporimi i detyrimeve të dy marrëveshjeve, në detyrimet e anëtarësimit të të dyja vendeve në BE”.

Ai tha se Aneksi e detyron Kosovës që t’i fillojë menjëherë negociatat për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë dhe në këtë riformulim të marrëveshjes së vitit 2013, ai sheh dy veçori.

“Së pari: shmang formën specifike institucionale të origjinalit. Kjo në sytë e Prishtinës përfaqësonte një kërcënim potencial për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Së dyti: i referohet ‘komunitetit serb’. Kjo tregon se nuk vlen për komunat ekzistuese, por vetëm për ato brenda Kosovës që e konsiderojnë veten qytetarë serbë”, shkruan profesori amerikan.

Sipas tij, e para është qartë në avantazhin e Kosovës kurse e dyta është për Serbinë, pasi eliminon detyrimet ndaj shumicës së joserbëve.

Më tej ai analizoi motivet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për të mos e nënshkruar marrëveshjen.

“Ai i frikësohet reagimit të brendshëm në Serbi, ku mbretërojnë pasionet etnike nacionaliste dhe urrejtja ndaj shqiptarëve. Ai dëshiron të shmangë çdo barazi formale me dikë që do të insistojë të identifikohet si Kryeministër i Republikës (e pavarur dhe sovrane) të Kosovës” – tha profesori i Universitetit John Hopkins

Profesori amerikan tha gjithashtu se amerikanët dhe europianët i kanë bërë shumë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta obligojnë dhe se Brukseli dhe Uashingtoni kanë patur një qasje të ndryshme me Vuçiçin”, dhe se  ata “e kanë shpërblyer paraprakisht”.

“Askush nuk kritikon devijimin e Serbisë drejt autokracisë apo korrupsionit të saj”, shkruan Serwer. Kjo, sipas tij, i jep Vuçiçit “hapësirën diplomatike që i nevojitet për refuzimin e nënshkrimit”.

“Edhe konferenca e donatorëve e premtuar në marrëveshjen e fundit është me interes margjinal, pasi Serbia ka shumicën e asaj që dëshiron tashmë”, tha Serwer

Serwer thotë se me marrëveshjen e fundit “Serbia merr ‘vetëqeverisjen’ për qytetarët e saj në Kosovë, por shqiptarët që jetojnë në Serbinë jugore nuk kanë asgjë të krahasueshme”.

 

 

Advertisement