Rajon
Vuçiç: Luftojmë për të ardhmen e vendit tonë
“Shteti i Serbisë dhe interesat e tij duhet të jenë gjithmonë para atyre partiake dhe individuale. Vetëm së bashku dhe të bashkuar mund të luftojmë për një të ardhme më të mirë të vendit tonë” Kështu u shpreh i “sikletosur” presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një kohë kur janë shtuar ndjeshëm presionet ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Të nderuar qytetarë të Serbisë, para dy ditësh kam thënë të vërtetën për të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohemi në lidhje me Kosovën dhe Metohinë. Asgjë nuk kam fshehur nga ju. Ju kam thënë se si dhe sa kemi luftuar dhe si synojmë të luftojmë në të ardhmen për vendin tonë”, tha Vuçiç.
Presidenti theksoi se u ka ofruar të gjithë aktorëve politikë njohjen e tyre me presione dhe me të gjitha ato me të cilat po përballet Serbia.
“Kanë thënë se nuk duan të flasin, ose të paktën një pjesë e mirë e tyre, por duan një demonstratë publike, një shfaqje për veprimin e tyre politik. Më vjen keq që nuk e kuptuan se shteti është më i rëndësishëm se interesat politike të ndonjë partie dhe të cilitdo prej nesh. Gjithsesi, është detyra ime të respektoj parlamentin dhe t’i plotësoj të gjitha kërkesat. Do të paraqitem në Kuvendin Kombëtar, do t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve dhe do të luftoj për Kosovën dhe Metohinë dhe Serbinë tonë. Vetëm së bashku dhe të bashkuar mund të luftojmë për një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, ka thënë Vuçiç në Instagram.