Kosova
Vuçiç manovron mjeshtërisht/ Analisti i njohur: Kurti regjistron dështime
Në një periudhë kritike për rajonin e Ballkanit, Kosova po përballet me presione të mëdha ndërkombëtare dhe një ultimatum të rreptë nga Gjermania për të dëshmuar seriozitet në marrëveshjet rajonale. Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka manovruar mjeshtërisht në arenën politike, po fiton hapësirë dhe mbështetje ndërkombëtare. Albin Kurti, i cili dikur e shihte Gjermaninë si aleatin e tij kryesor, tani gjendet përballë një krize ku vendimet e tij jo vetëm që kanë izoluar Kosovën në proceset rajonale, por edhe kanë ngjallur frustrime tek aleatët e rëndësishëm si Gjermania dhe SHBA. Vuçiç, ndërkohë, ka shfrytëzuar këto dështime për të avancuar interesat e Serbisë, duke e bërë Kosovën nxënësen problematike të Ballkanit.
Analisti Baton Haxhiu tha se “Burimet e sigurta nga Brukseli kanë konfirmuar se deri tani Kosova nuk ka marrë ftesë për Samitin e Berlinit, një ngjarje kyçe që shënon 10 vjetorin e procesit. Kjo është një shenjë e qartë se për komunitetin ndërkombëtar, Kosova është duke dështuar në përmbushjen e angazhimeve të saj rajonale. Gjermania, me disiplinën dhe qartësinë që e karakterizon, ka vendosur një afat të prerë: deri më 13 tetor, Kosova duhet të provojë seriozitetin e saj në zbatimin e marrëveshjeve rajonale, që synojnë lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe integrimin e qëndrueshëm në Ballkan.
“Samiti i Berlinit, një platformë që ka qenë jetike për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, është një proces në të cilin është investuar shumë nga vendet kryesore evropiane. Megjithatë, Kosova ka qenë nxënësja problematike e kësaj nisme që nga fillimi. Duke refuzuar aktivisht nisma si “Ballkani i Hapur”, një iniciative amerikane që Gjermania e bojkotoi me heshtje, Kosova nuk ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me vendet e rajonit. Ky qëndrim i vazhdueshëm e ka dëmtuar reputacionin e saj dhe e ka vendosur në qendër të kritikave të partnerëve ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, Gjermania, e frustruar nga mosbashkëpunimi i Kosovës, ka vendosur afate dhe detyra të qarta që duhet përmbushur. Intervista e Manuel Sarazin, të dërguarit special të kancelarit Olaf Scholz për Ballkanin Perëndimor, e bëri të qartë këtë zhgënjim. Qeveria gjermane kërkon që Kosova të mos bllokojë më proceset rajonale, përndryshe, siç është thënë, Kosova po bllokon vetëm veten.Një aspekt tjetër shqetësues është mungesa e aleatëve të qëndrueshëm të Albin Kurtit” – deklaroi Haxhiu