Shkrime
Vuçiç ose presidenti i maskave serbe
Nga Enver Bytyçi
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç , sa herë dëshiron të mashtrojë diplomatët miopë të perëndimit, tha se po pret “Javë e muaj të vështirë” për vendin e tij, dhe vazhdon e tjerr fantazitë e tij me kërkesat e Bashkimit Europian dhe SHBA-ve për Kosovën. Herë thotë se “po na kërkojnë njohjen e Kosovës”! E më pas zotohet solemnisht se “nuk do ta njohë kurrë Kosovën”! Herë shprehet se po më kërkojnë pranimin e Kosovës në OKB dhe sërishmi thotë se kjo nuk mund të ndodhë dhe herë tjetër i shtohen dhimbjet në dorën e djathtë për të mos firmosur apo njohur de facto shtetësinë e Kosovës.
Ndërkaq ai vazhdon të blejë armatim kudo ku mundet, prej Kinës e Moskës e deri në Paris. Vazhdon dhe mban shumë qendra spiunazhi të Rusisë në vendin e tij, si përshembull qendrën e rekrutimit dhe trajnimit paraushtarak e të spiunazhit në Nish. Ai gjithashtu, pavarësisht vërejtjeve të NATO-s, vazhdon të fortifikojë me ushtri e paraushtarakë kufirin me Kosovën. Dhe si të mos mjaftonte kjo, ka dërguar sërishmi terroristin Milan Radoiçiç në Rashkë për të riorganizuar grupet terroriste të serbëve, me qëllim hyrjen ilegale në veri të Kosovës dhe destabilizimin e saj.
Ai ka një strategji mashtrimi që e ka mbajtur në pushtet, pavarësisht lidhjeve të tij me kriminelë dhe terroristë të provuar të Serbisë. Ai vazhdon me strategjinë e krijimit të perceptimit, sikur ai gjoja e dëshiron kthesën serbe drejt perëndimit. Është pikërisht kjo që e bën Vuçiçin të përkëdhelurin e Perëndimit.
Pas Banjskës disa kanë filluar të reagojnë objektivisht për këtë strategji mashtrimi të tij, por ende ka plot politikanë e diplomatë në kancelaritë e Perëndimit që i besojnë kreut të shtetit serb. Dhe jo vetëm kaq, por edhe e përkrahin e përpiqen ta ndihmojnë në strategjinë e tij të intrigës me kufij, territore dhe ekstra – territore.
Aleksandër Vuçiç është në fakt ai që ishte para 24 viteve. Militanti më i zellshëm i politikës së Milosheviçit. Është lideri serb që nuk e kritikon kasapin e Ballkanit për krimet dhe gjenocidin serb në Bosnjë e në Kosovë, por e qorton atë pse nuk mundi t’i shfarosë shqiptarët dhe myslimanet boshnjakë. Ai është lideri, që ndërsa josh diplomatët perëndimorë, mban lidhje të ngushta me Rusinë e Vladimir Putin. Është politikani që ushqen, njësoj si edhe Milosheviçi, idenë nacionaliste të Serbisë së Madhe, madje duke u mburrur se këtë do ta realizojë “me mjete tjera, përmes paqes”.
Presidenti i Serbisë po përdor të gjitha instrumentet e dhunës dhe propagandës për realizimin e Serbisë së Madhe. Mban nën fre dhe kontrollon mediat. I ka shndërruar kishat dhe manastiret në depo armësh për t’i përdorur kundër popujve të tjerë. Ndërsa kryetarin e partisë e së tij e ka vendosur në krye të ushtrisë. Ai kontrollon me fanatizëm dhe kokëfortësi bandat kriminale “patriotike” për interesin e tij të pushtetit dhe lavdisë së rikthimit të hegjemonisë serbe në Ballkan.
Ai e di se asgjë nga këto objektiva dhe instrumente nuk vlejnë pa përkrahjen e pakursyer të Moskës dhe presidentit rus, Vladimir Putin. E megjithatë tall trapin me diplomatët perëndimorë, të cilët sa të zgjuar, janë dhe po aq naivë. Ndoshta edhe se e matin ndërgjegjen e Aleksandër Vuçiç me të tyren. Ndoshta edhe se duan të “shënojnë suksese” për karrierën e tyre. Ndoshta edhe se janë të korruptuar! Prandaj dhe të besosh se ish-ministri i propagandës së diktatorit nacional-komunist Milosheviç, të besosh se Aleksandër Vuçiç është engjëlli, do të thotë t’i hapësh rrugën de stabilizimit të Ballkanit dhe të Evropës.
Vuçiç nuk mund të shndërrohet në engjëll, përsa kohë që ai kryen funksionet e djallit, I cili fshihet në çdo fjalë që ai thotë, në çdo mendim që jep. Djallëzia e presidentit serb shkon deri aty sa kur ai dhunon dhe masakron popujt e tjerë, sidomos shqiptarët, përpiqet që edhe në këtë rast të luajë viktimën, pershembull duke akuzuar Albin Kurtin për spastrim etnik.
Edhe pse asnjëherë nuk ka folur për dëbimin e një milionë shqiptarëve në dy muaj gjatë pranverës së vitit 1999, kur ishte në pushtet! Edhe pse asokohe shkaktoi 15 mijë viktima përmes masakrave kundër shqiptarëve, teksa ushtarët e policët e tij përdhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra shqiptare!