Connect with us

Kosova

Vuçiç porositësi, Radoiçiç realizuesi i ngjarjes në Banjskë

“Mendoj se shteti i Serbisë qëndron pas asaj që ndodhi në Banjskë të Zveçanit në very të Kosovës dhe ne ende nuk i kemi parë kthesat emocionuese të dramës tashmë të përgjakshme” – Kështu u shpreh në një intervistë për Geopost, gazetari dhe publicisti serb Rade Radovanoviç.

Ai gjithashtu u shpreh se beson që ngjarja në manastir nuk ishte e  organizuar me iniciativën personale të Milan Radoiçiçit, pavarësisht se çfarë thotë presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

“Radoiçiç është zbatues i një nisme të caktuar, mendoj, shtetërore që mund të përkufizohet edhe si parashtetërore, pra shteti i Serbisë, dhe pastaj si i tillë është dëshmitar i rrezikshëm sepse nuk ka gjasa që sipas kushteve të caktuara të procedurës së drejtë, një dëshmitar i tillë do të pajtohej me çdo gjë dhe për çdo gjë, të mbronte dikë që e miratoi dhe ishte në dijeni, e ai është Aleksandar Vuçiç”  – theksoi Rade Radovanoviç, i cili gjithashtu thekson se shteti i Serbisë është pothuajse pronë private e autokratit Vuçiç, i cili është edhe prokuror, edhe gjykatës, edhe shteti edhe media…

Duket se varianti epik shpesh thirret në Serbi për ndihmë dhe kështu mendon edhe shkrimtari serb.

“Propaganda vazhdon sepse nacionalizmi çon në shovinizëm drastik, veçanërisht ndaj shqiptarëve, dhe këtë jam përpjekur ta trajtoj në librin tim që tregon luftën në Kosovë në vitet 1998/99, që është terren pjellor për ndezjen e ekstremizmit, dhe mbi të gjitha, nacionalizmit dhe shovinizmit me një qëllim, që të krijohet përshtypja se nuk mund të tolerohet, por duhet të hyjmë në luftë edhe një herë, gjë e cila është paralajmëruar edhe nga qindra grafite 50-100 metra të gjata ku shkruhej: ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’.  Për një shikues, dëgjues, vëzhgues objektiv, gjithçka që po them, e cila është përafërsisht një përshkrim i realitetit siç e shoh unë në Serbi, do t’i duket irracionale dhe pothuajse si një lloj skeçi për një film televiziv apo serial.

Unë realisht e shoh kështu realitetin tonë. Shoh në Serbi një lloj gatishmërie të tmerrshme të shumë njerëzve për të luftuar për të ashtuquajturat ‘të drejtat e mohuara’, për ‘serbët skllevër të robëruar në Kosovë’, për të shkuar në luftë në Kosovë. Do të doja të gaboja, por kam frikë se një humor i tillë ekziston në publikun serb, tek njerëzit që jetojnë në Serbi” – potencoi Rade Radovanoviç.

Advertisement