Rajon
Vuçiç sfidon perëndimin, rreshtohet hapur me Maduron edhe pas arrestimit të tij
“Mik i madh” — kështu e përshkruanin zyrtarët serbë deri vonë udhëheqësin e rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Ata e vlerësuan përmbysjen e tij në një operacion amerikan si “sundimin e forcës” dhe “ligjin e më të fortit”.
“Ky vlerësim nuk ishte i njëjtë kur, në vitin 2022, Rusia nisi luftën në Ukrainë”, tha Jelica Minić nga Lëvizja Evropiane joqeveritare në Serbi për Radion Evropa e Lirë/Radio Liberty (RFE/RL).
Beogradi zyrtar mbështeti integritetin territorial të Ukrainës, por nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe vazhdoi të mbante lidhje me Moskën.
Serbia forcoi marrëdhëniet me Venezuelën dhe regjimin e saj autoritar në një kohë kur vendi, i lidhur ngushtë me Rusinë, ishte nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Maduro u arrestua së bashku me gruan e tij më 3 janar në një operacion amerikan në Venezuelë dhe u transferua në Nju Jork, ku do të përballen me akuza në lidhje me trafikimin e drogës.
Një ditë pas operacionit, Vuçiç tha se rendi i vjetër botëror po shembej dhe se nuk zbatoheshin më rregulla, duke argumentuar se mbizotëron sundimi i forcës dhe se “kushdo që është më i fortë, shtyp”.
Ai shtoi se u shmangën fjalët edhe më të ashpra, siç e tha ai, për të mos dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Sipas Jelica Minić të Lëvizjes Europiane, vlerësimet e presidentit serb janë pjesërisht rezultat i interesave në marrëdhëniet dypalëshe “siç i sheh ai ato”.
“Dhe pjesërisht një frikë se Serbia po jep arsye të mjaftueshme në skenën ndërkombëtare që mund të shfrytëzohen për ndonjë ndërhyrje të re, të një lloji apo një tjetri, kundër regjimit të tij”, shtoi ajo.
Më 5 janar, Vuçiç deklaroi se i kupton interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe se ka respektin maksimal si për Presidentin Donald Trump ashtu edhe për SHBA-në, por se Serbia nuk ka alternativë tjetër përveç respektimit të ligjit ndërkombëtar.
Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbështetën operacionin e SHBA-së, duke deklaruar se ai përfshinte një regjim narko-kriminal dhe se Maduro është një diktator që nuk erdhi në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Deri në kohën kur u botua ky artikull, Departamenti Amerikan i Shtetit nuk i ishte përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë në lidhje me reagimin e presidentit serb ndaj rrëzimit të Maduros.
Operacioni amerikan u dënua nga Irani, Rusia dhe aleatë të tjerë të vendit të Amerikës së Jugut, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se veprimi ushtarak i SHBA-së përfaqësonte një “precedent të rrezikshëm”.
Shumë nga aleatët e Uashingtonit, megjithëse deklaruan se nuk kanë simpati për Maduron ose regjimin e tij, paralajmëruan për nevojën e respektimit të ligjit ndërkombëtar.
Rrëzimi i Maduros u mirëprit nga venezuelasit që jetojnë në mërgim.
Miqësia për shkak të Kosovës
Në vitet e fundit, zyrtarët serbë kanë deklaruar se Serbia dhe Venezuela janë “miq të vërtetë”.
Kjo miqësi buroi nga refuzimi i Venezuelës për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Si pjesë e forcimit të lidhjeve, Serbia dhe Venezuela nënshkruan një marrëveshje për udhëtim pa viza në mesin e vitit 2023.
Duke komentuar reagimin e presidentit serb, Jelica Minić vlerësoi se “Maduro konsiderohej një ‘mik’ dhe aleat për shkak të afërsisë së regjimeve”.
Sipas vlerësimeve nga organizatat ndërkombëtare, Serbia është një vend me demokraci të dëmtuar, ku liritë civile minohen dhe ushtrohet presion mbi median e pavarur.
Qëndrimi i Serbisë ndaj legjitimitetit të Maduros
Pavarësisht sanksioneve të BE-së — disa prej të cilave vetë Serbia i ka mbështetur — Serbia nuk e ka vënë në dyshim legjitimitetin e Maduros.
Në të njëjtën kohë, ajo mbështeti një deklaratë politike të BE-së që vinte në pikëpyetje procesin zgjedhor të 28 korrikut 2024 dhe deklaronte se Maduro nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, ndërkohë që dërgoi gjithashtu përfaqësuesin e saj në inaugurimin e tij.
Kryetarja e Parlamentit, Ana Brnabić, mori pjesë në inaugurimin e Maduros në Karakas në janar 2025, ku ai filloi mandatin e tij të tretë gjashtëvjeçar.
Brnabić tha në atë kohë se Venezuela, si një “mik i madh i Serbisë”, ndihmon në sigurimin që qëndrimi mbi paprekshmërinë e kufijve të ndahet nga një numër i madh vendesh të Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Ndër të tjera, Beogradi mbështetet te ky grup vendesh në luftën e tij kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, theksoi gjithashtu mosnjohjen e Kosovës nga Venezuela pas një telefonate me Maduron në gusht 2025.
Në atë kohë, ai e quajti Maduron një mik të madh të Serbisë, duke shprehur besimin se në vitet që do të vijnë ata do të vazhdojnë ta kultivojnë këtë “miqësi të vlefshme”.
Në qershor të vitit 2025, Zëvendësministrja e Jashtme e Venezuelës për Evropën dhe Amerikën e Veriut, Andrea Gabriela Korao Faria, mbërriti në Beograd.
Ajo mori pjesë në takimin e parë mbi planifikimin e pjesëmarrjes ndërkombëtare në Ekspozitën e Specializuar, që do të mbahet në Beograd në vitin 2027.
Sanksionet kundër Venezuelës
Ndërsa Serbia, si vend kandidat për në BE, po forconte marrëdhëniet me Venezuelën, Brukseli po vendoste sanksione ndaj regjimit atje.
Sanksionet u futën në fuqi në fund të vitit 2017 dhe më vonë u zgjeruan.
Më 15 dhjetor, Këshilli Evropian zgjati masat kufizuese ekzistuese për një vit tjetër në dritën e situatës në Venezuelë.
Sipas informacioneve jozyrtare të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, Serbia, si vend kandidat për në BE, u pajtua me këtë vendim.
Vendimi u mor duke pasur parasysh veprimet e vazhdueshme që dëmtojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe shtypjen e shoqërisë civile dhe opozitës demokratike.
Kjo, siç është njoftuar, përfshin edhe ngjarjet pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut 2024.
Serbia është pajtuar me disa vendime të sanksioneve të BE-së kundër Venezuelës, ndërsa jo me të tjerat.
Sanksione të gjera të SHBA-së janë gjithashtu në fuqi, të përqendruara, ndër të tjera, tek individët e lidhur me regjimin e Nicolás Maduro-s, si dhe në sektorin e naftës së Venezuelës.
Një kthesë nga Serbia drejt SHBA-së?
Kritikat ndaj operacionit amerikan janë përhapur edhe nga tabloidët pro-qeveritarë në Serbi.
Pasi mbështetën Trumpin — e reflektuar edhe në billboard-e ku shkruhej “Trump, një serb” — ata tani shkruajnë për “rënien e të gjitha ligjeve dhe logjikës”.
E pyetur nëse vlerësimet e presidentit serb mund të ndikojnë në marrëdhëniet me SHBA-në, Jelica Minić nga Lëvizja Europiane theksoi se tashmë ekzistojnë probleme serioze.
“Serbia tashmë ka një vend të veçantë në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së të dhjetorit 2025, ku një akt ekzekutiv parashikon politika të mëtejshme ndaj rajonit tonë”, tha ajo.
Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i nënshkruar së fundmi nga Trump, përmend gjithashtu vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nevojën për integrimin e tyre euroatlantik dhe uljen e varësisë energjetike nga Rusia.
Ligji shpreh gjithashtu shqetësim për gjendjen e demokracisë në Serbi dhe thotë se Serbia dhe Kosova duhet të synojnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Më tej theksohet se SHBA-të duhet të vazhdojnë të mbështesin arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, bazuar në njohjen reciproke.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka pranuar së fundmi se në vend të përparimit të madh që pritet nga administrata Trump, janë marrë vendime që nuk janë në interes të Serbisë.