Connect with us

Bota

Vuçiç takohet me Putin/ Sulmi terrorist dhe zgjedhjet në fokus të takimit

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka ndërmend të takohet me presidentin rus Vladimir Putin këtë muaj, në margjinat e forumit “Belt and Road”, i cili do të mbahet në Kinë, raporton medium ‘Demostat’ duke treguar se lajmi vjen prej disa burimeve dhe qarqeve diplomatike

Liderët e Serbisë dhe Rusisë tashmë kanë konfirmuar publikisht pjesëmarrjen e tyre në samitin kinez, por mbetet një pyetje e hapur nëse ata do të takohen, që dhe do të ishte takimi i tyre i parë kokë më kokë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Vuçic së fundmi ka njoftuar se gjatë samitit do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping, duke thënë se ai është mik i madh i Serbisë dhe se mezi e pret takimin.

“Deri në fund të vitit pres diskutime serioze dhe të rëndësishme me partnerët tanë shumë, shumë të rëndësishëm. Në tetor do të bëj një vizitë të rëndësishme në Kinë. Pyetja e madhe është se çfarë do të ndodhë atje, sepse pritet të mbërrijë edhe Putini”, tha Vuçic në muajin gusht.

“Serbia me shumë gjasa do të shkojë sërish në zgjedhje në dhjetor, kështu që takimi me Putinin padyshim që do t’i sillte Vuçicit pikë shtesë me votuesit pro-rusë,” shkruan Demostat.

Kjo e tetorit, nuk do të ishte hera e parë që Vuçic gjatë fushatës parazgjedhore luan me kartën e presidentit rus, popullariteti i të cilit në Serbi është i madh dhe nuk do të ishte hera e parë që ai takohet me të menjëherë para zgjedhjeve.

Putin është ende politikani i huaj më popullor në Serbi, dhe vitin e kaluar popullariteti i tij ishte vetëm një pikë përqindje më i ulët se ai i Vuçicit –  tregon hulumtimi i Demostat.

Megjithatë, një takim me Putinin në mes të luftës në Ukrainë dhe menjëherë pas sulmeve të fundit në veri të Kosovës, do të dërgonte një sinjal tjetër që nuk do të pritej mirë në Perëndim.

Pas sulmit terrorist në Banjskë para një jave, ka ende shumë pyetje të hapura dhe një pjesë e opinionit s’ka dyshim se edhe faktori rus ka qenë i përfshirë, madje disa shtete anëtare të Bashkimit Europian kanë kërkuar vendosjen e masave ndaj Serbisë nëse vërtetohet lidhja e shtetit me sulmin.

Advertisement