Kosova
Vuçiç të vizitohet nga psikiatri/ Avokati serb dorëzon iniciativën ligjore për vlerësimin mendor të presidentit

Avokati nga Novi Sadi, Miroje Jovanoviç, ka paraqitur në Gjykatën e Parë Themelore në Beograd një Iniciativë për nisjen e procedurës për heqjen e zotësisë për veprim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se bëhet fjalë për një dokument serioz prej 75 faqesh, i mbështetur në burime profesionale dhe juridike.
Në një deklaratë me shkrim, Jovanoviq ka sqaruar se kjo iniciativë është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe se është e motivuar nga “shqetësimi për gjendjen mendore të presidentit të shtetit”.
Ai ka kërkuar nga gjykata që procedura të nisë sipas detyrës zyrtare, si dhe të urdhërohet një ekspertizë e pavarur psikiatrike. Sipas tij, ky hap është gjithashtu një formë solidariteti me studentët që prej nëntorit të vitit 2024 janë në protestë për mbrojtjen e institucioneve, të drejtave dhe lirisë.
Jovanoviq u ka bërë thirrje ekspertëve të shëndetit mendor – psikiatërve, psikoterapistëve, psikologëve klinikë dhe etikëve – që të dërgojnë mendimet e tyre të pavarura në Gjykatën e Parë Themelore të Beogradit brenda afatit të dhënë.

