Connect with us

Kosova

Vuçiç tregon përralla/ Ja çfarë deklaroi analisti politik serb  

Analisti politik, Dragomir Angjelkoviç, ka thënë se presidentit serb, Aleksandër Vuçiç e shfrytëzoi situatën në Kosovë për të fituar pikë politike dhe për të negociuar me Perëndimin.

Ai theksoi se Vuçiç, me trajtimin e tij ndaj Kosovës, tregon se sa e respekton kushtetutën dhe se kjo është diçka që nuk duhet anashkaluar aq lehtë.

“Vuçiç tregonte përralla patriotike. Kosova është monedha me të cilën ai paguan për manipulimin e zgjedhjeve dhe aferave, në mënyrë që Perëndimi ta kthejë kokën anash. Ajo që po bën me Kosovën është vetëm një tregues se si po sillet në përgjithësi me gjithë Serbinë. Ai nesër mund të ndryshojë kushtetutën dhe shpallet perandor nëse sillet kështu ndaj Kosovës” – theksoi Angjelkoviç.

Në podkastin “Gravitacion” i Qendrës Medial, ku ishin të ftuar edhe panelistë të tjerë, ajo që të gjithë folësit ranë dakord është se vrasja e Oliver Ivanoviçit paraqet një pikë kthese në jetën politike të serbëve në Kosovë.

“Ne kemi përfaqësues, por përfaqësuesit tanë nuk kanë përfaqësues” –  tha Milica Andriç Rakiç, përfaqësuese e serbëve nga Kosova, nga organizata joqeveritare Iniciativa e Re Sociale.

Ajo tha se Lista Serbe, si degë e Partisë Progresive Serbe në Kosovë, krijon iluzionin e përfaqësimit të interesave serbe, por se nuk ka përfaqësim real të interesave serbe.

Rakiç theksoi se vështirësitë në normalizimin e marrëdhënieve vijnë nga të dyja palët, si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina. Siç tha ajo, politika e formimit të komunave serbe dhe vetë dalja e serbëve nga institucionet e Kosovës promovon separatizmin në territor dhe e vështirëson dukshëm integrimin.

Kujtojmë se më herët, analisti politik Angjelkoviç deklaroi se zgjedhjet në Serbi, ishin një organizim në të cilin opozita, hyri lehtë pa luftuar për një kusht të vetëm për të parandaluar vjedhjen e zgjedhjeve dhe theksoi se opozita u vendos në gijotinë politike të Vuçiçit, ndoshta, sic u shpreh ai, sepse dikush nga Perëndimi ka premtuar se zgjedhjet do të jenë më të pranueshme se më parë.

“Për Perëndimin nuk është e rëndësishme demokracia në Serbi, por vetëm që Vuçiç ta njohë Kosovën” – vlerësoi Angjelkoviç dhe theksoi se deklaratat e Vuçiçit në fushatën parazgjedhore lanë të kuptohet se do të ndodhte një vjedhje e madhe.

“Opozita lejoi që gjërat të përfundojnë në këtë mënyrë duke u futur lehtësisht në procesin zgjedhor”, ka theksuar Angjelkoviç. Sipas tij, opozita duke protestuar, nuk duhet të fokusohet vetëm në zgjedhjet e Beogradit, por duhet të kërkojë anulimin e të gjithë procesit zgjedhor.

 

Advertisement