Connect with us

Rajon

Vuçiçi i çon letër Putinit për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi se në takimin që zhvilloi të martën në Beograd me ambasadorin rus, Aleksandar Botsan-Kharçenko, shfrytëzoi mundësinë që përmes tij, ti dërgonte një letër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, jo vetëm për t’i uruar fitoren në zgjedhjet presidennciale ruse, por edhe për ta njoftuar mbi zhvillimet e fundit dhe situatën aktuale në Kosovë.

“Në letër i shpjegova presidentit Putin situatën e vështirë me të cilën përballet populli serb në Kosovë, sfidat politike me të cilat përballet Serbia në përgjithësi, si edhe falënderova Rusinë për mbështetjen që i jep integritetit territorial të Serbisë”- ka treguar Vuçiç.

Putini fitoi një mandat të pestë në dritën pushtimit rus të Ukrainës, duke marrë mbi 80 për qind të votave në një proces zgjedhor që u kontrollua nga vetë ai. Sundimi i Putinit do të zgjasë deri në vitin 2030, ndërsa pas ndryshimeve kushtetuese në vitin 2020 në Rusi, ai do të mund të kandidojë përsëri dhe potencialisht të qëndrojë në pushtet deri në vitin e largët 2036.

Duke folur për planet e presidentit rus pas zgjedhjeve, ish-zyrtarja e Agjencisë së Inteligjencës dhe Mbrojtjes (DIA) së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Rebekah Koffler, paralajmëroi se inteligjenca ruse ka të ngjarë të kryejë disa operacione që synojnë destabilizimin e Kosovës.

Advertisement