Connect with us

Kosova

Vuçiq: Po zhvillojmë hetim për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se autoritetet serbe po zhvillojnë një hetim për një shpërthim ndaj një kanali të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke i hedhur poshtë përsëri akuzat e autoriteteve kosovare se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike kosovare.

Kosova dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar këtë sulm si akt terrorist.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rritur frikën se shumë pjesë të vendit do të mbeteshin pa ujë dhe rrymë.

“Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe, si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti”, tha Vuçiq duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili e akuzoi Serbinë për “dirigjimin” e këtij sulmi “terrorist dhe kriminal”.

Ai tha se ky është “sulm hibrid ndaj një shteti”.

Ai tha se hetimet do ta zbardhin të vërtetën, sepse “edhe ne po zhvillojmë hetimin tonë”.

“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi”, tha Vuçiq.

Ai pretendoi se që nga viti 1985 “ekziston një ide për të ndryshuar rrjedhën” e lumit Ibër, për ta lënë gjoja Gazivodën pa ujë. Siç deklaroi ai, me vendim të Qeverisë së Serbisë mund të ndryshohet rrjedha e lumit Ibër, por ai vetë ka qenë kundër kësaj, kur iu propozua, madje edhe kur ishte kryeministër, dhe nuk dëshironte që “natyra të përdoret për nevoja politike”.

Vuçiq tha ka përpjekje për ta “ngadalësuar” rrugën e integrimit evropian të Serbisë, pasi javën e ardhshme pritet vendimi për hapjen e kapitujve, si dhe të shpallet Lista Serbe organizatë terroriste përpara afatit për dorëzimin e listës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Negociatat mes Beogradit dhe Brukselit janë praktikisht të ngrira tash e tre vjet, kryesisht për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë –pritet të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, sipas kryetarit të saj Zllatan Ellek.

Ndërkohë, duke folur për mjetin shpërthyes që u përdor për ta dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, Vuçiq tha se është “i sigurt” se bëhet fjalë për eksploziv ushtarak serb, “pasi mund te ishte konfiskuar gjatë një prej bastisjeve”, duke aluduar në Policinë e Kosovës.

Autoritetet kosovare të sigurisë konfiskuan armatim gjatë bastisjes në veri të shtunën, për të cilin thanë se mund të lidhet me sulmet e kësaj jave dhe me raste të tjera që autoritetet janë duke i trajtuar.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se eksplozivi i përdorur në sulmin ndaj kanalit “është e pamundur të gjendet në tregun e zi, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”.

Advertisement