Kosova
Vulin garanton Putin-in/ Serbia nuk anëtarësohet në NATO, nuk vendos as sanksione ndaj Rusisë
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka takuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Në një bisedë që Vulin e Putin patën mes tyre në margjinat e forumit ekonomik në Vlladivostok-ut, Vulin deklaroi se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë. Ai gjithashtu ka garantuar Putinin se Serbia asnjëherë nuk do të bëhet anëtare e NATO-s dhe se asnjëherë nuk do të vendos sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.
“Serbia, e udhëhequr prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, është Serbi që nuk do të bëhet kurrë anëtare e paktit të NATO-s, që nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të lejojë kurrë që veprime anti-ruse të kryhen prej territorit të saj”- ka theksuar Vulin.
Ne lidhje me kete ka reaguar edhe Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor. Ajo nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka thënë se Serbia kurrë nuk do të jetë anëtare e NATO-s, derisa të jetë nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit.
Stradner ka paralajmëruar më herët gjatë javës së kaluar në një intervistë për programin e “Radios Evropa e Lirë” në gjuhën serbe se së shpejti pritet një “raund i dytë” i përshkallëzimit të tensioneve në Kosovë, posaçërisht në pjesën veriore të territorit kosovar që banohet kryesisht me serbë etnikë.