Bota
Depot e karburantit në flakë/ Washingtoni nis përplasjen e parë me Izraelin pas sulmit në Iran
Zyrtarët amerikanë shprehin shqetësim se pamjet e depozitave të djegura mund të trembin tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Është shënuar një nga mospajtimet e para të rëndësishme mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit lidhur me strategjinë e sulmeve ajrore kundër Iranit. Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Axios, sulmet e ndërmarra nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ndaj disa depozitave të karburantit në Iran të shtunën kanë qenë shumë më të gjera nga sa prisnin zyrtarët amerikanë.
Ky zhvillim ka shkaktuar shqetësim në Uashington, ku disa zyrtarë kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën dhe përmasat e operacionit. Sipas raportimeve, administrata amerikane druhet se goditja e infrastrukturës që përdoret edhe për furnizimin civil mund të ketë efekt të kundërt nga ai i synuar, duke rritur mbështetjen e popullsisë iraniane për regjimin në Teheran.
Zjarre të mëdha në Teheran
Sulmet e aviacionit izraelit shkaktuan zjarre të mëdha në kryeqytetin iranian. Flakët u panë nga kilometra larg, ndërsa tymi i dendur mbuloi pjesë të mëdha të Teheranit, sipas raportimeve dhe pamjeve të shpërndara në media dhe rrjete sociale.
Ushtria izraelite deklaroi se depot e karburantit të goditura përdoren nga regjimi iranian për të furnizuar konsumatorë të ndryshëm, përfshirë edhe strukturat ushtarake.
Një zyrtar ushtarak izraelit tha se sulmet kishin gjithashtu qëllim paralajmërues, për të dërguar një mesazh ndaj Iranit që të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës civile izraelite.
Uashingtoni i befasuar nga shkalla e sulmeve
Sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, ushtria izraelite kishte informuar paraprakisht homologët amerikanë për operacionin. Megjithatë, një zyrtar i SHBA-së tha se Pentagoni u befasua nga përmasat e sulmeve.
“Ne nuk besojmë se ishte një ide e mirë”, citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë amerikan për Axios. Nga ana tjetër, një zyrtar izraelit la të kuptohej se reagimi i Uashingtonit ishte i ashpër dhe u komunikua në mënyrë direkte.
Frika për ndikimin në tregjet e energjisë
Megjithëse objektivat e goditura nuk ishin drejtpërdrejt objekte prodhimi të naftës, zyrtarët amerikanë shprehin shqetësim se pamjet e depozitave të djegura mund të trembin tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Si pasojë e tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar një rritje të ndjeshme, duke reflektuar frikën për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit dhe për ndërprerje të mundshme të furnizimeve me energji.
Një këshilltar i ish-presidentit Donald Trump deklaroi për Axios se presidenti amerikan nuk e mbështet këtë lloj sulmi. “Presidentit nuk i pëlqen kjo goditje. Ai dëshiron të ruajë naftën, jo ta shkatërrojë atë, sepse kjo i kujton njerëzve çmimet e larta të karburanteve”, tha ai.
Paralajmërimi i Iranit
Nga ana tjetër, Irani paralajmëroi për pasoja nëse sulmet ndaj infrastrukturës së tij energjetike vazhdojnë.
Zëdhënësi i shtabit iranian Khatam al-Anbiya, që mbikëqyr operacionet ushtarake, deklaroi se nëse objektivat energjetike iraniane vazhdojnë të goditen, Teherani mund të përgjigjet me sulme të ngjashme në rajon.
Sipas tij, Irani deri tani nuk ka shënjestruar infrastrukturën rajonale të energjisë, por nëse kjo ndodh, çmimi i naftës në tregjet globale mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi.