Politike
Xhaferaj: Berisha nuk u konsultua, pa votë, është bashkim pa dinjitet e rreshtim në vasalitet
Mungesën në mbledhjen e Këshillit Kombëtar në selinë blu, Ferdinand Xhaferaj e cilësoi më shumë si çështje angazhimesh sesa një formë për të treguar kundërshtinë e tij për ndryshimit e fundit të statutit të Partisë Demokratike të Rithemelimit.
Megjithatë, deputeti demokrat, i ftuar mbrëmjen e së mërkurës në “Debat” shtroi një sërë problematikash të reja në kampin blu, që siç u shpreh ai, mund të vënë në pikëpyetje “bashkimin në diversitet.”
“Pas 8 janarit, u zhvlerësua mekanizmi i votës. Më 8 janar, dy vite më parë, një pjesë e madhe shkoi të nxirrte me dhunë një pjesë më të vogël… Kanë gjetur një mekanizëm poziciones dhe kjo mua nuk më pëlqen.”
PD e Rithemelimit, pas ndryshimeve të fundit statutore, që u miratuan nga Këshilli Kombëtar, ka katër nënkryetarë dhe nëntë anëtarë të rinj të Kryesisë. Ndryshimet u bënë me propozim të Sali Berishës, nga arresti shtëpiak. Pa votë dhe pa garë, nënkryetarë u emëruan Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj.
Si një prej atyre që ka kundërshtime, deputeti Xhaferaj thotë se opozita e ka sot më të nevojshme se kurrë që të krijojë një bazament për të dalë si alternative, duke marrë parasysh afrimin e zgjedhjeve të 2025-ës.
Kështu, më e mira për opozitën, sipas Xhaferajt do të ishte që kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, të bënte një hap pas.
“…nuk e prisnim që protesta të kishte atë pjesëmarrje, por dy gjera; ishte e palogjikshme që Berisha foli një ore e ca minuta e ndërsa gjithë të tjerët bashkë 35 minuta. Dhe e dyta, me kë e konsultoi Berisha programin që prezantoi në atë protestë? I ngelem mendimit, bashkim në diversitet do të thotë që asnjë smë kufizon dot mua nga e drejta ime për t’u shprehu…”
Për Xhaferajn, zgjidhje sot është të bashkohet elektorati i Partisë Demokratike, dhe jo “disa burra.”