Connect with us

Kronike

Xhaxhai i Aleks Nikës zbardh kasetën e dorëzuar në SPAK: Berisha po qe burrë…

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, njëri nga 4 protestuesit e vrarë në tubimin e 21 janarit 2011 ka kërkuar nga kryedemokrati Sali Berisha që të tregojë të vërtetën lidhur me atë që ka ndodhur. Në një intervistë të dhënë Mark Nika u shpreh hapur se Berisha duhet që të tregojë se përse dha urdhërin që të qëllohej mbi protestuesit. Kjo, sepse për të, asokohe kryeministri i Shqipërisë, është përgjegjës për 4 jetët e humbura.

“Unë mendoj se përgjegjës është Sali Berisha. Ai ka deklaruar vetë. Ka thënë që kam vrarë e do të vras përsëri. E fill pas ngjarjes ka thënë që vrasjet janë kryer nga opozita e nuk janë përdorur armët e shtetit. Fakti që ka bërë përpjekje që atëherë për të fshirë provat e njeh përgjegjësinë por këtë përgjegjësi duhet ta deklarojë publikisht. Po të jetë burrë Berisha të thotë pse i vrau. Se është prind dhe ai dhe si ka mundësi të heshtë dhe qeveria aktuale e të gjithë kanë heshtur për 21 janarin. Edhe Europa duhet tu kërkojë hesapë. Si mund të rrinë në politikë këto njerëz që vrasin qytetarët e vet e kërkojnë të bëhen pjesë të Europës. Duhet patjetër të zbardhë këtë cështje e Shqipëria të kërkojë anëtarësimin në BE. Si është e mundur të heshtet. Si mund të vritet njeriu në rrugë. Si mund të mbyllen dyert e qytetarëve shqiptarë. Se ne na rëndon shumë,”-tha Nika në fjalën e tij.

Më pas, u ndal më gjatë tek marrja në pyetje e tij dhe të vesë të së ndjerit nga hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kasetën me audiregjistrim 34 minutëshe të cilën familja e dispononte prej kohësh tashmë ia ka dorëzuar SPAK, e për Nikën, ai regjistrim është “mbretëresha e të gjitha provave”. Por sërish nuk e zbuloi se si kanë arritur që ta sigurojnë audiopërgjimin.

“Kjo është prova kryesore. Mbretëresha e provës. Është bërë vrasje me urdhër jo nga pakujdesia. Në kasetë dëgjohet të thotë: Bëni armët gati dhe kur të them unë qëlloni në mish. Ky është zëri i Ndrea Prendit. Pastaj i ka ndërprerë zjarrin dhe pasi është vrarë është larguar Garda. I bëjmë thirrje SPAK të marrë masa për të hetuar sa më shpejt. Do të thirren shumë dëshmitarë, duke nisur nga ish presidenti, ish prokurorja e përgjithshme, ish kryetari i opozitës të asaj kohe. Këto duan kohë për tu hetuar për të arritur në konkluzionin se është një krim shtetëror i kryer nga garda e Republikës me urdhër të shtetit,”-tha në fjalën e tij xhaxhai i viktimës.

SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha.

Advertisement