Connect with us

Bota

Xi shfaq forcën ushtarake, Putin dhe Kim krah tij; Vuçiç gjen vend mes boshtit anti-Perëndim

Prej tre ditësh, Xi Jinping ka pritur në një nga qytetet më të ngarkuara tregtare të Kinës liderë nga Azia dhe Lindja e Mesme, në një samit të orkestruar me kujdes për të treguar vizionin e tij për një rend të ri botëror. Kjo ofensivë diplomatike kulmon me një shfaqje të hapur force: një paradë gjigante ushtarake në bulevardin kryesor të Pekinit, ku do të defilojnë raketa bërthamore, dronë nëndetësorë dhe armë hipersonike, të shoqëruara nga mijëra ushtarë. Mesazhi i Xi është i qartë: Kina jo vetëm që kërkon të rishkruajë rregullat globale, por nuk ka frikë të sfidojë Perëndimin.

Në krah të tij, në tribunën zyrtare, do të jenë Vladimir Putin, Kim Jong Un, presidenti iranian Masoud Pezeshkian dhe dhjetëra liderë të tjerë të vendeve të afërta me Pekinin. Prania e katërshes Rusi – Kinë – Kore e Veriut – Iran në të njëjtin aktivitet shihet nga analistët perëndimorë si një sinjal i fortë i krijimit të një “boshti anti-amerikan”, në një kohë kur SHBA po përpiqet të izolojë Moskën për luftën në Ukrainë.

Në këtë listë të gjatë miqsh të Kinës, bie në sy edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, një lider që gjithmonë ka ditur të luajë mes Perëndimit dhe Lindjes. Prania e tij në Pekin, krah Putinit e Xi-t, është një mesazh i qartë se Beogradi po e forcon pozicionin si partner strategjik i Kinës dhe Rusisë, në një kohë kur tensionet me Perëndimin janë në rritje.

Samiti dhe parada përkojnë me 80-vjetorin e dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, një datë që Pekini dhe Moska e përdorin për të rishkruar narrativën historike: ata paraqiten si mbrojtës të rendit ndërkombëtar pasluftës, ndërsa fajësojnë SHBA dhe aleatët e saj për krizën aktuale globale.

Xi po përdor momentin kur Amerika nën administratën Trump ka tensionuar aleancat e saj dhe ka hapur luftë tregtare në mbarë botën. Me këtë vakum, Kina po paraqitet si “alternativa e besueshme” për vendet e zhgënjyera nga Uashingtoni. Pamjet e takimeve, ku Modi përqafon Putinin dhe liderë të tjerë flasin me gjallëri me Xi, japin një sinjal të qartë: po formohet një bosht i ri gjeopolitik pa Perëndimin në qendër.

Në sytë e shumë analistëve, kjo javë është sinjali më i fuqishëm deri më sot i fushatës së Xi për të minuar udhëheqjen amerikane dhe për ta vendosur Kinën si një fuqi të padiskutueshme globale. /Përshtatur nga “CNN”

Advertisement