Shkrime
Zajednica bën operacion plastik/ Si po shkon Kurti drejt pranimit të Asociacionit
Asociacioni ka në bilancin e vet tetë vjet kundërshtim, protesta masive, tensione, gaz lotsjellës. Prej vitit 2015, kur e kishte nënshkruar Isa Mustafa, formimi i Asociacionit kurrë nuk ka qenë më afër. Si për ironi, pikën e finishit, kjo marrëveshje duket se po e arrin me Kurtin Kryeministër. Duke e pranuar propozimin evropian, ai veçse është dakorduar për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit, ndonëse këtë herë here e eviton e herë e mohon.
Për Albin Kurtin si opozitar, Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të quhej ‘bashkësi’, se ai do të ndante Kosovën dhe nuk e pasqyronte kuptimin e asaj fjale. Prandaj, ai dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta pagëzonin atë “të keqe” si ‘Zajednicë’.
Në këto tetë vjet, është bërë e është parë shumë rreth formimit të Asociacionit. Për Vetevendosjen nuk kishte rrugë të ndërmjetme. “Zajednica”, s’duhej të bëhej, s’do të bëhej kurrsesi dhe pikë.
Po si u tranformua “Zajednica” që “do të sillte Serbinë në Kosovë”, në një marrëveshje të cilën Kurti Kryeministër është dakorduar ta zbatojë?
Në vitin 2015, pas nënshkrimit të marrëveshjes për formimin e Asociacionit, opozita, që atëherë përbëhej nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, e kishin defunksionalizuar Kuvendin e Kosovës. Ata ekishin thënë se do ta pamundësonin miratimin e marrëveshjes për Asociacionin dhe Demarkacionit me Malin e Zi, qoftë edhe fizikisht. Dhe, kështu bënë.
Në Kuvend u hodh disa herë gaz lotsjellës, duke e cuar opozitarizmin të një niveli tjetër, të pa parë ndonjehere në Kosovë. Mes deputetëve që mbushte sallen e kuvendit me gaz lotsjellës ishte edhe Kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, që përfaqëson Kosovën në negociatat me Serbinë.
Në nëntor të 2015-s, opozita vendosi të dalë edhe në rrugë për ta kundërshtuar formimin e Asociacionit, që për ta, nuk mund të kishte një opsion tjetër veç anulimit të asaj marrëveshjeje.
Protestat e 18 nëntorit ishin të dhunshme. U arrestuan dhjetëra persona, u lënduan protestues dhe zyrtarë policorë, u dogjën dhe u dëmtuan makina zyrtare.
Në protestë atë kohë u shfaq edhe deputeti Albin Kurti, i cili ishte në kërkim nga Policia, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend. Ky ishte vetëm fillimi i kundërshtimit të “Zajednicës”. Pushtetarët s’kishin parë gjë akoma.
Dy ditë pas tensioneve në rrugët e Prishtinës, partitë opozitare, LVV, AAK dhe ‘Nisma’ mbajtën një tubim, ku u bën thirrje qytetarëve që masivisht të protestonin më 28 nëntor kundër Demarkacionit me Malin e Zi dhe formimit të Asociacionit.
28 nëntori i 2015-s erdhi me protestën, ku Lëvizja Vetëvendosje thoshte se kishin marrë pjesë 35 mijë veta.
Në atë protestë u ngjit në skenë Kurti i arratisur, të cilin qytetarët e pritën me ovacione disaminutëshe.
Pastaj në pjesën e mbetur të 2015-s, opozita organizoi serish tubime kundër Asociacionit dhe Demarkacionit në qytetet më të mëdha të Kosovës.
Pushteti i atëhershëm, i përbërë prej LDK-së dhe PDK-së bën thirrje opozitës për dialog, por opozita s’e shihte këtë opsion.
Kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa thoshte se nëse ka gabime në marrëveshjen e nënshkruar për formimin e Asociacionit, do të korrigjoheshin, porse nuk frikësohej nga opozita dhe aksionet e saj.
Por pervec Asociacionit, LVV-ja nisi të kundërshtonte me të njëjtat mjete edhe zgjedhjen e Hashim Thaçit President.
Më 4 gusht u sulmua ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Nën dyshimet për kryerjen e sulmit që u cilësua si terrorist, policia arrestoi më 30 gusht gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në vitet që do të vinin, vëmendja do të zhvendosej te kundërshtimi i Demarkacionit, ratifikimin e së cilit e kishin kthyer në prioritet ndërkombëtarët.
Asociacioni u rikthye në skenë paralelisht me marrjen e pushtetit nga Lëvizja Vetëvendosje, sidomos në mandatin e dytë me Kurtin Kryeministër.
Perëndimi ka shkuar duke e rritur presionin ndaj Qeverisë së re për formimin e Asociacionit. Vitin e fundit zbatimi i kësaj marrëveshjeje është kthyer në kërkesën më të rëndësishme, në top-prioritetin e ndërkombëtarëve.
Kryeministri Kurti e ka kundërshtuar formimin e Asociacionit, por nuk ka arritur t’i bind zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së se Asociacioni s’duhet bërë. Në diskursin e tij të ri ai po përsërit kundërshtimin kundër një Asociacioni monoetnik.
Kurti tani ka lene të kuptohet se ka lëvizur nga qëndrimi i tij, duke zbuluar në Kuvend gjashtë kushte në këmbim të themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Tanimë, për Lëvizjen Vetëvendosje, meqë ndërkombëtarët nuk po bindeshin, kishte një “rrugë të ndërmjetme”.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti si kryeministër kishin hequr nga përdorimi I fjales “Zajednicë” dhe po e quanin “Asociacion”.
Kushtet e Kurtit mbijetuan rreth dy javë, deri kur ai, pas një rezistence dhe pakënaqësie të shprehur ndaj ndërkombëtarëve, megjithatë, pranoi propozimin evropian.
Me këtë propozim, i bie që palët janë pajtuar të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë, që i bie edhe atë për formimin e Asociacionit.