Kronike
Zbardhet dinamika e atentatit, viktima po i drejtohej banesës, autorët…
Një 33-vjeçar mbeti i vrarë në fshatin Dragoç të njësisë Postribë në Shkodër. Shtetasi Ramazan Mataj, u qëllua me breshëri automatiku në orët e mbrëmjes të 4 janarit teksa ndodhej i vetëm në automjetin e tij tip benz. Viktima po kthehej në shtëpi kur persona ende të paidentifikuar i kanë dalë në pritë duke ekzekutuar 33-vjeçarin. Një kalimtar i rastit ka konstatuar viktimën brenda automjetit rreth orës 7:15 të mëngjesit.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke nisur hetimet paraprake. Deri më tani uniforcat blu nuk kanë një pistë konkrete hetimi
Xhaxhai i viktimës, shtetasi Naim Mataj, 73 vjeç thotë se nipi i tij nuk ka patur probleme me askend dhe se kohët e fundit punonte në Malin e Zi si mjeshtër ndërsa më përpara ka qenë për një periudhë të shkurtër në Belgjikë ku jeton aktualisht vëllai i të ekzekutuarit…
Edhe babai i viktimës, shtetasi Fatmir Mataj deklaroi për policinë se nuk ka asnjë dijeni për ndonjë konflikt të dhakit të tij të vrarë ndërsa tha se fëmijët e tij janë punëtorë dhe se janë rritur mes shumë vështirësive ekonomike. Fqinjët kanë dëgjuar breshëritë e plumbave mbrëmjen e kaluar por kanë menduar se të shtënat kanë ardhur nga dasmorët në një lokal dasmash aty afër duke mos e ditur se bëhet fjalë për një ngjarje kriminale.
Pas veprimeve të grupit të ekspertizës, trupi i viktimës u transportua me një ambulancë drejt morgut të spitalit.
Policisë i erdhi në ndihmë edhe një qen i Forcave të Sigurisë Kombëtare të Shkodrës për të rënë në gjurmët e autorëve që mendohet se kanë qenë dy persona. Zona është një rrugë dytësore e Dragoçit dhe aty nuk ka kamera sigurie.
Policia vijon hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër.