Connect with us

Aktualitet

Zbardhet urdhri për policët e inkriminuar: Vetëdeklaroni kontaktet me krimin e organizuar

Pas vetëdeklarimit për përdorimin e aplikacionit SKY ECC, punonjësit e policisë së shtetit do të plotësojnë edhe një formular tjetër në lidhje me kontaktet me krimin e organizuar. Deri më 2 korrik, rreth 12 mijë efektivë të uniformave blu pritet të plotësojnë formularin mbi verifikimin e integritetit. Kush gënjen, hiqet nga puna.

Përfshirja gjithnjë e më shumë e punonjësve të policisë së shtetit në veprimtari kriminale apo bashkëpunimi i tyre me krimin e organizuar që po faktohet nga hetimet e SPAK, ka bërë që efektivët t’i nënshtrohen plotësimit të detyrueshëm të një formulari mbi verifikimin e integritetit.

Në urdhrin e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku ku theksohet se deri më 30 qershor të gjithë punonjësit e strukturave në nivel qendror, vendor apo atyre të veçanta duhet të kenë plotësuar formularin ndërsa më datë 2 korrik, duhet të jenë dorëzuar në aparatin qendror të uniformave blu.

Rreth 12 mijë efektivët e policisë, krahas pyetjeve nëse kanë qenë të dënuar, hetuar, ndaluar apo shpallur në kërkim nga autoritetet gjyqësore shqiptare apo të huaja, duhet të përgjigjen edhe nëse kanë pasur kontakte të papërshtatshme, komunikime elektronike apo takime dhe nëse kanë shkëmbyer para e favore me persona të përfshirë në krim të organizuar.

Gjithashtu, në listën e 8 pyetjeve ata duhet të përgjigjen edhe nëse kanë shkelur rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe nëse kanë kryer aktivitet të paautorizuar në sistemet e komunikimit që administrojnë këto informacione.

Kush plotëson të dhëna të pasakta apo të pavërteta, pranon me vetëpërgjegjësi ndërprerjen e marrëdhënieve juridike të punës me policinë e shtetit, thuhet në urdhrin për plotësimin e formularit mbi verifikimin e integritetit.

Kjo nismë vjen në një moment kur nga dosjet e SPAK dhe fraksionet e operacionit “Metamorfoza”, kanë dalë të implikuar efektivë të policisë së shtetit edhe në nivele të larta drejtuese.

Pak kohë më parë punonjësit e policisë plotësuan edhe formularin për përdorimin e aplikacioneve të enkriptuara SKY ECC dhe ENKRO CHAT, ku asnjë nuk pranoi se kishte qenë pjesë e rrjeteve të komunikimit sekrete që u zbërthyen nga autoritetet franceze belge dhe holandeze në bashkëpunim me Europol.

Pyetjet në formularin e vetëdeklarimit “Mbi verifikimin e integritetit të punonjësve të strukturave në Policinë e Shtetit”:

1) A jeni dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet gjyqësore shqiptare ose të huaja ?

2) A keni kryer shkelje sigurie, a keni shkelur rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, a keni tentuar dhe keni arritur të kryeni aktivitet të paautorizuar në sistemet e komunikimit të informacionit të klasifikuar ?

3) A keni në hetim ose gjykim nga autoritetet shqiptare ose të huaja, për vepra penale ?

4) A keni qenë i ndaluar ose arrestuar nga organet ligjzbatuese shqiptare ose të huaja, për vepra penale ?

5) A është caktuar ndaj jush ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale ?

6) A është lëshuar ndaj jush urdhër kërkimi kombëtar ose ndërkombëtar për vepra penale ?

7) A keni pasur kontakte të papërshtatshme, komunikime elektronike, ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi apo komunikimi të qëllimshëm, me persona të përfshirë në krim të organizuar?

8) A keni pranuar apo shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me persona të përfshirë në krim të organizuar ?

Efektivët në dosjet e SPAK dhe operacionin "Metamorfoza"/

formulari
Advertisement