Connect with us

Kronike

Zbulimi i bisedave me të ‘zhdukurin’ Martinaj/ Gjoka nuk paraqitet në gjyq, zbardhet kërkesa e kreut të SPAK

Ka nisur seanca e parë në themel për dosjen “Metamorfoza”! Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi që t’i cilësonte si të ligjshme bisedat e marra nga çkodimi i aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur gjykimin e çështjes në themel.

Sot në gjyq, ka zgjedhur që të mos jetë prezent biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili është i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, por është përfaqësuar nga avokatët e tij Ylli Manjani dhe Gurali Brahimllari. Ndryshe nga Gjoka, në sallë, për t’u përballur me të pandehurit ishte kreu i SPAK, Altin Dumani. Ky i fundit kërkoi vijimin e shqyrtimit gjyqesor dhe viktimat e veprës penale të quhen të njoftuar pasi gjykata ka ezauruar rrugën ligjore.

Ndërsa avokati i ish-shefit të Policisë, Adrit Hasanbegaj kërkon shtyrje të seancës për shkaqe proceduriale për të patur kontakt me klientin dhe një mbrojtje efektive. Po ashtu, edhe avokatët e Pëllumb Gjokës kërkuan shtyrjen e gjyqit për të pritur zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në këto kushte, trupa gjykuese vendosi që seanca e ardhshme të mbahet më 21 janar.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për një pjesë të anëtarëve të dosjes Metamorfoza, ku personat e dyshuar janë arrestuar pas bisedave në aplikacionet e koduara. Mësohet se akuzat u janë komunikuar deri tani Behar Bajrit dhe Pëllumb Gjokës, ndërsa për disa prej të dyshuarve ka rënë akuza kryesore e grupit të strukturuar kriminal. Ish-shefit të policisë operacionale, Oltion Bistrit, i është hequr akuza e shpërdorimit të detyrës, dhe është akuzuar vetëm për “korrupsion”.

Por edhe për ish-prokurorin Xhevahir Lita është zbutur akuza, i cili tashmë nuk do të hetohet zyrtarisht për akuzën e grupit kriminal. Ish-zyrtari i drejtësisë do të përballet me gjykatën për akuzën e akuzat e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor. Vetë Lita ka pranuar para hetuesve se ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC.

Hetimet e Metamorfozës kulmuan pas përcjelljes së letërporosisë nga autoritetet franceze, ku rezultoi se në dhjetra biseda, Bajri komunikonte me të zhdukurin me Ervis Martinaj për vrasjen e Gjon Boriçit. Kjo dosje është veçuar nga ana e SPAK, sa kohë që Martinaj prej afro dy vitesh rezulton një person I zhdukur. Në përgjime rezultonte gjithashtu se Martinaj garantonte se do të eliminonte Kleanth Musabelliun për interes të Pëllumb Gjokës. Bisedat dhe provat e mbledhura nga hetimi tregojnë se Astmer Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin, atentate që dështuan.

Advertisement