Aktualitet
Zbulohen dy marrëveshjet që Antony Blinken do të nënshkruajë nesër në Tiranë
Ditën e nesërme, me rastin e vizitës në Tiranë të Sekretari Amerikan të Shtetit Antony Blinken, do të nënshkruhen dy marrëveshje mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Këshilli i Ministrave, ka miratuar sot në parim marrëveshjet të cilat kanë të bëjnë me një program të shkëmbimit akademik “Fullbright” si dhe memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, që ka të bëjë me bashkëpunimin në mbrojtjen nga sulmet kibernetike.
Vendimet e Këshillit të Ministrave ditën e sotme (14 shkurt):
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (KËSHILLI I MINISTRAVE) DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR PROGRAMIN E SHKËMBIMIT AKADEMIK “FULBRIGHT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT SHQIPËRI – SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS KUNDËR MANIPULIMIT TË INFORMACIONIT TË SHTETIT TË HUAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA