DOSSIER
Zbulohen letrat e Mehmet Shehut, për oficerin e Sigurimit dhe ambasadorin shqiptar në Suedi, 3 dhjetor 1981

Nga Dashnor Kaloçi
Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota, me faksimilet përkatëse.
Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive në hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.
Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit, grupit të tij të shoqërimit dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje e, deri korrespodenca me letra të Mehmet Shehut dhe Fiqretes (shkruara me dorën e tyre), për djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, deri në ditët e para të dhjetorit 1981.
Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!
Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankën e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.
Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë këtyre ngjarjeve, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
(Vijon nga numrat e kaluar)
LETRA E KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, ME SHKRIMIN E TIJ, DËRGUAR MË 3 DHJETOR 1981, AMBASADORIT SHQIPTAR NË SUEDI, DHIMTËR LAMANI, QË TË KUJDESEJ PËR DJALIN E TIJ, SKËNDER SHEHUN, (APO SIÇ NJIHEJ NDRYSHE ME EMRIN E RREMË, “ARIAN BOGOVA”) PËR T’U KTHYER NË SHQIPËRI
I dashur Taqi
Vendosa që Ariani të kthehet në Tiranë dhe studimet e mëtejshme që i kanë mbetur pa mbaruar aty, t’i vazhdojë në formë tjetër; me korrespodencë. Do kthehet aty në Stokholm, nga koha në kohë, për të dhënë provimet që i kanë mbetur akoma, për konsultime, për paraqitjen e temave shkencore, etj.
Në letrën që i kam shkruar Arianit, i kam thënë që të mbaroj edhe këtë provim që ka në duar dhe të kthehet në Tiranë, duke i kërkuar profesorit dhe Institutit, që t’i japin (Arianit), që më tej, kursin e studimeve pasuniversitare që i kanë mbetur akoma të pambaruara, t’i vazhdojë me ndërprerje (me korrespodencë) dhe të vij aty (në Stokholm), nga koha në kohë, sa për të dhënë provimet, etj., kurse programet dhe literaturën e nevojshme, t’i marrë me vete.
Rëndësi ka që të na jepet mundësia për të vazhduar me korrespodencë, s’ka gajle se suedezët, edhe mund ta presin bursën, sepse e kanë dhënë për katër vjet pa ndërprerje. Dhe në qoftë se Ariani, nuk arrin dot që ta rregullojë dot vetë drejtpërdrejt këtë gjë me profesorin dhe Institutin suedez, ai do të kthehet në Tiranë, sapo të mbarojë provimet që ka në dorë dhe çështjen e vazhdimit të studimeve me korrespodencë, vazhdoni ta ndiqni ju vetë, mundësisht dhe personalisht, gjer sa të rregullohet dhe pastaj më njoftoni mua me letër, nëpërmjet Ministrisë (shokut Nesti).
Arianit i kam shkruar gjatë mbi arsyet pse duhet të kthehet dhe i kam thënë që për çështjen e rregullimit të studimeve me korrespodencë, të kam shkrojtur edhe ty dhe Ganiut shkurtimisht, se këtë çështje do ta ndiqni ju të ambasadës, po qe se nuk rregullohet dot sa të jetë ai aty, domethënë se kohë që do japë provimin që ka nëpër duar. Dhe Ariani i ka mundësitë që ta vazhdoj kursin me korrespodencë. Justifikimi që do të jepni para profesorit (profesorëve) dhe Institutit, do të jetë: “Kthehet për nevoja kuadri, në lidhje me realizimin e detyrave të mëdha të pesëvjeçarit”.
Ti e kupton vetë se Arianit mund të mos i vijë mirë, pa i pasur mbaruar akoma pa ndërprerje mësimet aty gjer në fund, siç i kishte nisur, por interesi i Partisë e kërkon që ai të kthehet, siç i kam shkruar. Prandaj, ai edhe mund ta kuptojë drejt problemin, por megjithëkëtë, mund të bjerë edhe në gjendje dëshpërimi. Për këtë arsye, ju lutem i qëndroni afër, inkurajoheni, mos e lini vetëm e në dëshpërim. Ai perspektivën e ka të hapur, ato që ka përfituar aty gjer më sot, nuk i humbasin, as aty, as këtu.
Po i prenë bursën suedezët dhe po nuk pranuan në asnjë mënyrë ta vazhdojnë (bursën), ta japin në formën që kërkojmë ne, për t’i vazhduar studimet me korrespodencë, nuk ka gajle, sepse kthimi i Arianit aty, nga koha në kohë, për të dhënë provimet, ose për të mbrojtur tema, mund të bëhet edhe në kuadrin e bursave që japim vetë ne, shteti ynë, për studimet pasuniversitare. Dhe s’ka gajle edhe në qoftë se studimet me korrespodencë, do të vazhdojnë, të themi pesë vjet, në vend të katër vjetëve.
Ju lutemi interesohuni dhe kam bindjen se do të interesoheni. Ariani do të kthehet me Ganiun. Bali mund të mos vijë bashkë me ta, por vjen më vonë, duke marrë me vete edhe plaçkat e Arianit, të cilat ai nuk do t’i marrë dot me vetë me vete. Kur të vijë bashkë me Ganiun, që unë parashikoj të jetë në 15 ditorin e parë të janarit, (brenda 15 janar 1982).
Tiranë, më 3.12.1981
Shumë të fala dhe përqafime vëllazërore
Mehmet Shehu
LETRA E KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, ME SHKRIMIN E TIJ, DËRGUAR MË 3 DHJETOR 1981, OFICERIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT, GANI KODRA, QË SHOQËRONTE DJALIN E TIJ, SKËNDER SHEHUN, (APO SIÇ NJIHEJ ME EMRIN E RREMË, “ARIAN BOGOVA”) GJATË STUDIMEVE PASUNIVERSITARE NË STOKHOLM TË SUEDISË
I dashur Gani
Vendosa që Ariani të kthehet në Tiranë, dhe studimet e mëtejshme, t’i vazhdojë me korrespodencë, duke u kthyer aty në Stokholm, nga koha në kohë, për të dhënë provimet, etj. për këtë i kam shkruar gjatë Arianit dhe i them në letër, se edhe ty po të shkruaj shkurtër. E kërkon interesi i Partisë, që Ariani të kthehet në Tiranë dhe perspektivën e hapët e ka për të vazhduar studimet edhe me korrespodencë, gjer sa t’i mbarojë ato fare. Ato që ka mësuar aty gjer më sot, nuk i humbasin, por i vlejnë shumë për vazhdimin.
E kam porositur që sa të japë provimet që ka në duar, e të kthehet në Tiranë, duke kërkuar nga profesori dhe Instituti, që t’i jepet mundësia për të vazhduar pjesën që i ka mbetur nga kursi katërvjeçar, me korrespodencë këtej e tutje. Të marrë dhe programet e mësimeve, librat e nevojshëm dhe vërtetimin zyrtar nga Instituti, për ato mësime që ka kryer në fakt gjer më sot, sepse ky vërtetim mund t’i duhet për vazhdimin e studimeve pasuniversitare, në çdo formë qoftë.
Po s’e rregulloi dot vetë këtë (domethënë vërtetimin për vazhdimin e studimeve me korrespodencë), vetë sa të jetë aty, këtë do të vazhdojë ta ndjekë e rregullojë ambasada dhe për këtë i kam shkruar edhe Lamanit, që të kujdeset personalisht. Do kthehesh ti me Arianin, kurse Bali me plaçkat e tua dhe të Arianit, që s’do t’i marrë dot me vete, i merr pastaj Bali, që do të vijë më vonë me të tjerët, ose edhe duke u rikthyer ti aty, për të marrë Balin dhe plaçkat.
Justifikimin në Institut, tek profesori dhe autoritetet përkatëse suedeze për kthimin e Arianit, do të jetë: “Ariani kthehet për nevojat që kemi për kuadro, në lidhje me realizimin e planit të ri pesëvjeçar”, siç i kam shkruar edhe vetë Arianit e Lamanit. Të lutem, Gani, kujdesu dhe i qëndro shumë afër Arianit, që ta kuptojë përmbajtjen e letrës time dhe se është nevojë dhe në interesin e Partisë, dhe edhe në interesin e vetë Arianit, që të kthehet, perspektivën e ka të hapur për mbarimin e studimeve pasuniversitare, se edhe akoma i ri është, etj.; kujdesu që të mos bjerë në dëshpërim.
Prandaj sapo të mbarojë provimet që ka në duar, kthehuni, duke ardhur, mendoj unë, direkt Stokholm-Romë, (të martën), për t’u kthyer me aeroplanin rumun (të mërkurën) në Tiranë, kur të vijë java e kthimit, që s’besoj se do jetë më tej se gjysma e parë e muajit janar, në mos edhe më parë, po qe e mundur, mjafton që edhe Ariani të japë edhe atë provim që ka ndër duar. Kujdesu për ta qetësuar shpirtërisht Arianin, jo vetëm aty, por edhe gjatë rrugës për këtu.
Do qe mirë që, po patët mundësi, kthimi të koordinohej me ardhjen edhe të ndonjë grupi pune, nga ata që dërgon aty Tregtia e Jashtme. Ariani ka nevojë shpirtërore për afrim, shoqëri, qetësim, që ta kuptojë drejt atë çka unë i shkruaj në letrën që po i dërgoj, për t’u kthyer e për të vazhduar studimet me korrespodencë, se kjo është në interesin e Partisë, por edhe në interesin e tij, ta kuptojë me partishmëri si komunist, me gjakftohtësi dhe në asnjë mënyrë, të mos humbas perspektivën e studimit, se Partia është Mëma e madhe, që i ndihmon bijtë e saj kurdoherë.
Dhe unë kam bindjen se ai do ta kuptojë drejt. Ju aty, sa të jetë aty Ariani, interesohuni që suedezët të japin mundësinë e vazhdimit të studimeve me korrespodencë, pastaj, po se përfunduat dot ju, këtë çështje do ta ndjekë Lamani, siç i kam shkruar. Shikimi i mundësisë së vazhdimit të studimeve këtej e tutje me korrespodencë, do parë me doemos, pavarësisht se suedezët, në këtë rast, mund edhe ta presin bursën që kanë dhënë.
Të lutem Gani, si shok e vëlla, kujdesu për Arianin që të mos bjerë në dëshpërim, e të mos humbasë besimin në mundësinë e vazhdimit e të mbarimit të mësimeve pasuniversitare, se ai tash sidomos, ka nevojë për shoqërim dhe afrim, sa të mbërrini shëndosh e mirë në Tiranë, se pastaj këtu kujdesemi të gjithë dhe do flasim më gjerë e gjatë.
Shumë të fala dhe përqafime
Mehmet Shehu
Tiranë, më 3.12.1981

