Connect with us

Kosova

Zbulohet data e hapjes së urës mbi Ibër/ Perëndimi instalon liderët e rinj serbë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se pret hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Kosovë, më 14 ose 15 gusht, si dhe instalimin e liderëve të rinj serbë në këtë vend, nga forcat e huaja, por pa ofruar ndonjë dëshmi.

Ai i ka bërë këto deklarata në kohën kur autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se ura kryesore mbi Ibër – që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, me Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe – duhet të hapet plotësisht për qarkullim.

Aktualisht ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për makina, dhe në të patrullojnë karabinierët italianë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Presidenti serb ka pretenduar që figurat e reja serbe, që sipas tij, do të instalohen në Kosovë, “do t’i portretizojnë si trima edhe pse nuk janë, dhe do të përpiqen t’i ndajnë nga Beogradi” dhe që ata t’i përgjigjen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Më lejoni t’ju them menjëherë se nuk do të funksionojë”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë është Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë thënë publikisht se nuk mbështesin hapjen e urës në këtë kohë, kurse KFOR-i ka thënë disa herë në ditët e fundit se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve.

Autoritetet e Kosovës kanë nisur të bëjnë inspektime për hapjen e urës dhe më herët gjatë javës kanë kontraktuar një kompani për të vlerësuar fuqinë mbajtëse të urës, para hapjes për qarkullim të automjeteve.

 

Advertisement