Lifestyle
Zbulohet një tablo e rrallë e bashkëpunëtorit të Da Vinçit
Një “Madeleine e penduar” tablo e Salait, bashkëpunëtori më i afërt i Leonardo da Vinçit, u zbulua së fundi dhe do të nxirret në ankand më 18 nëntor nga shtëpia e ankandeve ”Artcurial”.
”Kishim dijeni vetëm për katër apo pesë tablo të vërtetuara se ishin nga dora e Salait, si ‘Krishti Shëlbyes’, e ruajtur në Muzeun Ambrozian të Milanos, të tjerat ishin në duart e privatëve”, tha ”Artcurial”.
Gian Giacomo Caprotti, i ashtuquajtur Salai (1480-1524), ka qenë miku më i afërt i Leonardo Da Vinçit, nxënësi i tij, modeli, arkëtari, agjenti dhe i dashuri. Mjeshtri i Rilindjes do t’i jepte pseudonimin “Salai” – sinonim i “djallit të vogël” – për shkak të gënjeshtrave të tij të pakuptimta dhe vjedhjeve të vogla.
“Kjo tablo del vërtet nga nata. Pronari i saj, i cili e bleu atë për një shumë modeste, na e besoi për shitje. Ajo arriti tek ne pa atribut. Ishte Cristina Geddo (eksperte e njohur për periudhën e shekullit të XV), që duke ardhur nga Milano, na zbuloi se ishte nga Salai”, theksoi eksperti i veprave të vjetra, Eric Turquin.
Me përmasa 65 centimetra dhe 50 centimetra, tabloja është në gjendje të mirë, por duhet të pastrohet, pasi llaku që e mbulon atë është pjesërisht i ndotur dhe i oksiduar.
Marie-Madeleine përfaqësohet atje në një sfond të zi, sytë e saj të ngritur në ekstazë dhe krahët e kryqëzuara. Trupi i zhveshur dhe i hollë është pjesërisht i mbuluar nga flokë të bollshëm të kafe të artë, një karakteristikë e gjetur në Krishtin e Milanos.
Karakteri është i paqartë, midis të shenjtës dhe profanit. Buzët janë të plota dhe sensuale.
“Gjetëm gjurmët e gishtërinjve. Piktori ka shtypur gishtin e madh mbi bojën e freskët, e cila është karakteristikë e teknikës së Leonardo Da Vinçit dhe Salait”, shpjegoi Eric Turquin.
“Puna tregon një njohuri të përsosur të sfumatos leonardeske. Dhe një karakteristikë tjetër është një vijë e bardhë që shënon qepallën e poshtme, duke dhënë një lloj fortësie që nënvizon syrin”, thekson eksperti.
“Për më shumë se 25 vite pranë Leonardos, Salai ka mundur të asimilojë teknikën fine të mjeshtrit, duke u pozicionuar si një prej promovuesve më me ndikim të modeleve të Leonardos përmes prodhimit të kopjeve dhe variacioneve të kryeveprave të Leonardit” shton Eric Turquin.
Tabloja është vlerësuar mes 100 000 dhe 150 000 euro.
atsh/