Bota
Zbulohet sistemi i fshehtë/ I përfshirë në kaos, Hamasi vazhdon të paguajë rrogat e 3- mijë nëpunësve civilë

Pas gati dy vitesh lufte, Hamasi është i goditur rëndë: Aftësia e tij ushtarake është gjymtuar, ndërsa lidershipi politik, edhe ai i përgjysmuar, gjendet nën presion të madh.
E megjithatë, përgjatë gjithë periudhës së konfliktit, grupi militant që kontrollon Gazën ka arritur të vazhdojë përdorimin e një sistemi sekret pagesash të bazuar në para të kesh për të shlyer rrogat e 30,000 nëpunësve civilë. Totali i këtyre pagesave mbërrin në 7 milionë dollar.
BBC ka folur me tre nëpunës civilë të cilët kanë konfirmuar se kanë marrë gati 300 dollarë secili brenda javës së fundit. Ata besohet të jenë në mesin e dhjetëra mijëra punonjësve që kanë vazhduar të marrin cdo 10 javë pak më shumë se 20% të pagës së tyre të para luftës.
Edhe pse pagesat vazhdojnë, mes inflacionit në rritje, paga simbolike – që është vetëm një pjesë e shumës së plotë – ka shkaktuar pakënaqësi në rritje midis besnikëve të partisë.
Mungesa e mëdha ushqimore – të cilat agjencitë e ndihmës ia atribuojnë kufizimeve izraelite – dhe rastet në rritje të kequshqyerjes akute në Gaza, vazhdojnë. Atje, një kilogram miell ka arritur të kushtojë javët e fundit deri në 80 dollarë – një rekord ky historik.
Pa një sistem bankar funksional në Gaza, edhe marrja e pagës është komplekse dhe nganjëherë e rrezikshme. Izraeli identifikon dhe shënjestron rregullisht shpërndarësit e pagave të Hamasit, duke kërkuar të godasë aftësinë e grupit për të qeverisur, thotë BBC, e cila ka zbuluar edhe sistemin sekret të përdorur për shpërndarjen e pagave.
Punonjësit, nga oficerët e policisë deri te zyrtarët e taksave, shpesh marrin një mesazh të koduar në telefonat e tyre ose bashkëshortët e tyre që i udhëzojnë ata të shkojnë në një vend të caktuar në një kohë të caktuar për të “takuar një mik për çaj”.
Në pikën e takimit, punonjësit i afrohet një burrë – ose herë pas here një grua – që në mënyrë të kujdesshme i dorëzon një zarf të mbyllur ku ndodhen paratë.
Një punonjës në Ministrinë e Çështjeve Fetare të Hamasit, i cili nuk dëshiron të japë emrin e tij për arsye sigurie, përshkroi sidoqoftë rreziqet që lidhen me mbledhjen e pagave të tij.
“Sa herë që shkoj të marr pagën time, u them lamtumirë gruas dhe fëmijëve të mi. E di që mund të mos kthehem më. Në disa raste, sulmet izraelite kanë goditur pikat e shpërndarjes së pagave. Unë i mbijetova njërit që shënjestroi një treg të ngarkuar në Qytetin e Gazës”, rrëfeu ai.

