Connect with us

Politike

Zegjinesë i buzëqesh fati/ Do jetë pjesë e Parlamentit: Gati të përballem me Gazin, do tja ngrij buzëqeshjen

Zegjine Çaushi do të jetë pjesë e Parlamentit shqiptar, edhe pse nuk ka marrë votat e nevojshme, pas një rinumërimi në Fier, i cili solli një zhvillim të papritur dhe një rokadë të beftë.

Pas përfundimit të procesit, rezultoi se një prej personazheve të spikatur në hapësirën publike e atë mediale dhe në media sociale, Zegjine Çaushi, nuk i kishte më votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Parlamentit në legjislaturën e re.

Kjo, pasi me humbjen e dhjetëra votave, të cilat ishin shënuar gabimisht për të dhe me marrjen e votave në krahun tjetër nga kandidatja Maldrita Bardho, kjo e fundit e tejkalonte Çaushin me 10 vota së bashku me ato të Diasporës, duke i marrë kështu dhe mandatin.

Mirëpo, në një zhvillim po aq të papritur, Bardho del me një komunikatë publike, ku thotë se ajo nuk do ta pranojë vullnetin qytetar dhe mandatin, do t’ia kalojë Zegjinesë.

“Pasi ndoqa me vëmendje rinumërimin e votave për qarkun Fier, ndihem e lumtur dhe e nderuar që kontributi im i gjatë në Partinë Socialiste është vlerësuar nga bashkëqytetarët e mi dhe ata më kanë konsideruar të denjë për ti përfaqësuar në parlamentin shqiptar”, e nis Bardho një reagim të sajin në median sociale Facebook.

“Megjithatë”, vazhdon ajo, “unë kam marrë një vendim të rëndësishëm, që kam dëshirë ta ndaj me të gjithë, një vendim që e kam marrë përpara se të niste rinumërimi dhe që sot mu përforcua përfundimisht”.

Bardho shpjegon më tej se ajo do të vijojë të kontribuojë për Partinë Socialiste dhe për Lushnjën, me të gjithë mundësitë e saja, por pa qenë pjesë e Parlamentit shqiptar.

“Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shenjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjetër, nga politika e përbaltjes që ka frikë nga zërat e rinj, Zegjinesë nga e cila sot më ndajnë vetëm 10 vota dhe që padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit, për të përfaqësuar të rinjtë, sidomos vajzat”, shton ajo.

Drejt mbylljes ndërkohë, falënderon elektoratin, i cili i besoi dhe e votoi më 11 maj.

Ndaj, brenda pak orësh, në një skenar surreal, Zegjineja e gjen veten fillimisht jashtë Parlamenti, për t’u rikthyer në të dhe për të vijuar edhe “Akademinë Politike Socialiste”, një seksion edukimi veror për deputetët e rinj.

Advertisement