Bota
Zelensky: NATO duhet t’i bëjë “një ftesë të qartë” Ukrainës
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha të enjten se vendi i tij ka nevojë që NATO-ja t’i bëjë një “ftesë të qartë” për anëtarësim në takimin e nivelit të lartë të aleancës në Vilnius. Presidenti Zelensky ka kërkuar vazhdimisht përshpejtimin e anëtarësimit të vendit të tij në aleancën ushtarake, por megjithëse ka shprehur mbështetjen për një gjë të tillë, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se kjo çështje nuk është në rendin e ditës, ndërsa lufta po vazhdon.
Presidenti Zelensky tha në takimin e nivelit të lartë të Komunitetit Politik evropian në Moldavi se çdo vend evropian që kufizohet me Rusinë dhe që nuk do që Rusia t’i shpërbëjë, “duhet të jetë anëtar me të drejta të plota i BE-së dhe NATO-s”.
Në Oslo ku po mbahet një takim i ministrave të jashtëm të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg shprehu mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës.
“Të gjithë aleatët bien dakord që Ukraina do të bëhet anëtare e aleancës dhe se u takon aleatëve të NATO-s dhe Ukrainës të vendosin se kur Ukraina do të bëhet anëtare. Nuk i takon Moskës të vendosë veto kundër zgjerimit të NATO-s”, tha ai.
Por zoti Stoltenberg është shprehur se anëtarësimi i Ukrainës në NATO “nuk është në rendin e ditës” ndërsa lufta vazhdon.
Ai tha të enjten se “çështja më urgjente dhe më e rëndësishme tani është që Ukraina të fitojë si një vend sovran dhe i pavarur”.
I pyetur për sulmet në territorin rus që i atribuohen Ukrainës, zoti Stoltenberg tha se Ukraina u sulmua nga Rusia dhe ka të drejtë të mbrohet.
Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin mund ta ndalojë luftën në çdo kohë dhe se ata që janë përgjegjës për krimet lufte në Ukrainë duhet të mbajnë përgjegjësi.
Takimi në Oslo mbahet përpara takimit të udhëheqësve të NATO-s muajin e ardhshëm në Lituani, të cilit iu referua presidenti Zelenskiy.
Zoti Stoltenberg tha se pret që në takim, aleatët të bien dakord për një angazhim afatgjatë për të mbështetur Ukrainën.
Ai tha se Ukraina duhet të ketë aftësitë dhe forcën për të mbrojtur veten dhe për të frenuar çdo agresion nga Rusia.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vlerësoi në Oslo atë që ai e quajti “unitetin e jashtëzakonshëm” të NATO-s në përgjigje të Rusisë.
“Ka qenë një nga arsyet kryesore të suksesit të Ukrainës në zmbrapsjen e agresionit rus. E kemi thënë që ditën e parë se çfarë do të bënim për të mbështetur Ukrainën, për të ushtruar presion ndaj Rusisë dhe në drejtim të forcimit të Aleancës sonë. Ne kemi bërë atë që kemi premtuar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë”, tha ai.
Zoti Stoltenberg kishte thënë se shpresonte që aleatët e NATO-s të miratonin kërkesën e Suedisë për t’u bashkuar me aleancën përpara takimit të korrikut.
Por deri tani Hungaria dhe Turqia nuk e kanë dhënë miratimin e tyre. Shefi i NATO-s tha të enjten se do të shkojë së shpejti në Ankara për të vazhduar diskutimin për këtë çështje me udhëheqësit e vendit./VOA