Connect with us

Bota

Zelensky: Tani jemi gati për paqe

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vizitoi të hënën qytetin e Khersonit, i cili javën e kaluar u çlirua nga pushtimi rus.

Ai foli me ushtarët e mbledhur në qytet dhe tha se Ukraina “është duke ecur përpara”.

Humbja e Khersonit u cilësua si zmbrapsje e madhe për Rusinë.

Ushtria ruse mori kontrollin e tij shumë shpejt pasi nisi pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.

Pas disa referendumeve të paligjshme që mbajti në shtator, Rusia aneksoi Khersonin, së bashku me tri rajone të tjera ukrainase.

Në një ceremoni asokohe në Moskë, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se aneksimi i Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjës dhe Khersonit është “i panegociueshëm”.

Por, javëve të fundit, Ukraina shënoi fitore të mëdha në fushëbetejë, duke i vënë forcat ruse nën presion.

Ato u tërhoqën të premten nga Khersoni, ku më pas hynë trupat ukrainase.

Gjatë vizitës, Zelensky tha se Ukraina është “gati për paqe, paqe për të gjithë vendin tonë”.

Ai falënderoi NATO-n dhe aleatët e tjerë për mbështetjen e vendit të tij në luftën kundër Rusisë.

Ai tha se sistemet raketore Himars, të dërguara nga SHBA-ja, e kanë ndihmuar shumë Kievin.

I pyetur nga turma se ku tjetër mund të avancojnë forcat ukrainase, Zelensky tha: “Jo në Moskë… Ne nuk jemi të interesuar për territoret e një vendi tjetër”.

Në një video-adresim më herët, Zelensky tha se hetuesit kanë zbuluar më shumë se 400 krime lufte në zonat e Khersonit, pas largimit të forcave ruse.

Advertisement